LSDM: Nisma e VMRO-së për referendum, manipulim dhe dyfytyrësi

LSDM: Nisma e VMRO-së për referendum, manipulim dhe dyfytyrësi

Gazetare: Ajnur Bafqari

VMRO DPMNE-ja sillet me dyfytyrësi dhe përmes referendumit kërkojnë mënyra për të bërë manipulime. Në këtë mënyrë LSDM-ja i kundërpërgjigjet nismës së partisë së Mickoskit për mbajtjen e referendumit. Nga partia e kryeministrit Kovaçevski thonë se në këtë mënyrë VMRO-ja kërkoi referendum edhe kundër marrëveshjes së Prespës, mblodhi nënshkrime edhe për regjistrimin e popullsisë dhe më pas i bojkotoi.

“VMRO-DPMNE në këtë moment sillet me dyfytyrësi dhe pa ide, shpërndan lajme të rreme, konkretisht kërkonte referendum edhe për Marrëveshjen e Prespës, por atë referendum e bojkotoi. VMRO-DPMNE mblidhte nënshkrime edhe për regjistrimin e popullsisë, të cilin po ashtu e bojkotoi. VMRO-DPMNE është parti pa ide e cila u obligohet qytetarëve që t’u sqarojë se përse i ka gënjyer se do të ketë bullgarizim dhe asimilim”, tha Mile Taleski, deputet I LSDM-së.

As Aleanca për shqiptarët nuk mbështet vendimin për organizim të referendumit. Nga kjo parti nënvizojnë se mbeten në qëndrimin e shprehur në seancën e së shtunës ku kanë mbështetur propozimin francez.

“Qëndrimi ynë në lidhje me referendumin ne e kemi dhënë ditën e shtunë, shumë qartë, ditën e shtunë ne e votuam propozimin francez dhe ishim faktor vendimtarë, ju e dini, po qe se nuk ishim ne, propozimi francez nuk do të kalonte, sepse nuk kishte kuorum”, u shpreh Halil Snopçe, ASH.

Reagimet e tilla vijnë pas vendimit të mbrëmshëm të VMRO-DPMNE-së për organizim të referendumit kundër propozimit francez.

Kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi konsultime të gjera për modalitetet e referendumit ndërsa tha se do të grumbullojnë mbi 150 mijë firma të nevojshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button