LSDM paralajmëron se nuk do ta mbështesë Ligjin për Arsim të Lartë pa pranimin e vërejtjeve të tyre
Gazetar: Suad Bajrami
Pas paralajmërimit se të hënën do të hyjë në procedurë qeveritare Ligji për Arsim të Lartë, lideri i opozitës Venko Filipçe paralajmëroi se LSDM nuk do ta mbështetë versionin e këtillë, nëse arrin në Kuvend. Ai theksoi që kriteret e vendosura për publikimin e punimeve shkencore me impakt të lartë faktor janë pamundshme pasi shteti nuk ka kapacitet, ndërsa ajo paraqet barrë shumë të lartë financiare për profesorët.
“Vendosen kritere për zgjedhjen për publikim të punimeve profesionale për të cilat sistemi ynë shkencor jo vetëm arsimor, nuk është i gatshëm. Nuk mund të përgatiten punime të tilla, ne nuk kemi kapacitet, nuk kemi laboratorë që atë ta përgatisim. Ne nuk kemi kapacitet të publikojmë financat tona, por edhe të pajisjeve, të publikohen punime me impakt faktor të lartë”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
“Do t’i largojmë të rinjtë të cilët duan të merren me këtë punë pasi e dinë se nuk do të mund t’i plotësojnë kushtet. U imponohen harxhime financiare. Kush do t’i paguajë ato publikime? Ajo kushton 5-6 rroga të profesorëve që të publikohet një punim”.
Ndërkohë nga Aleanca për Shqiptarët, kërkuan tërheqjen e propozim-Ligjit për arsimin e lartë. Sipas tyre propozimi është diskriminues për universitetet shqiptare dhe nuk garanton gjuhën shqipe në të. Arben Halili nga ASH tha se me këtë propozim universitetet shqiptare trajtohen si të dorës së dytë, ndërsa buxheti për to vazhdon të jetë diskriminues me vetëm 2.5 për qind. ASH-ja i bën thirrje deputetëve shqiptar në Kuvend që të mos e mbështesin miratimin e ligjit.
“Propozim-Ligji aktual edhe në versionin e fundit të para dy ditëve, nuk ndryshon asgjë në realitetin e universiteteve shqiptare, prandaj kërkojmë që ky Ligj të tërhiqet menjëherë. I bëjmë thirrje gjithë spektrit politik shqiptarë në pushtet e opozitë, që dora shqiptare mos të bëhet dora që legalizon këtë padrejtësi të kamufluar në ligj. Nuk duhet të lejojmë që diskriminimi të legalizohet në ligj”, tha Arben Halili, Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshimet në Ligjin për Arsim të Lartë ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, për çka në periudhën e kaluar u mbajtën edhe disa debate publike./Alsat.mk.








