Lukashenka zotohet se nuk do ta dorëzojë pushtetin

I gjendur mes protestave masive në Bjellorusi që kërkojnë dorëheqjen e tij, Alyaksandr Lukashenka nuk tregon shenja zmbrapsjeje. Ai është zotuar sërish se nuk do t’ia dorëzojë pushtetin askujt, shkruan REL.

- Advertisment -

Duke folur para gazetarëve bjellorusë, kazakë, rusë dhe ukrainas, të premten, Lukashenka kritikoi ashpër kundërshtarët e tij politikë dhe ata që po protestojnë kundër rizgjedhjes së tij si president.

Ai tha se vendi i tij duhet të integrohet në organizatat e drejtuara nga Moska për të shmangur atë që ai e quajti “Revolucion me ngjyra”, një term që përdoret shpesh për të përshkruar përmbysjet politike pro-perëndimore.

“Nuk ka transferim të pushtetit! Nuk ka pasardhës. Kushdo që zgjidhet nga populli duhet të mbetet [në pushtet]. Unë u betova, unë premtova se gjithçka do të shkonte ashtu siç zgjedh populli bjellorus” i tha Lukashenka gazetarëve.

Sipas tij, ata që po protestojnë që nga zgjedhjet e 9 gushtit, po përgatiten për një “Revolucion me ngjyra”, duke i akuzuar ata se kanë qëllim vendosjen e ndikimit të qeverive perëndimore dhe krijimin e problemeve me Rusinë.

“Rusia e kupton shumë mirë që Zoti e ndalon humbjen e Bjellorusisë”, tha Lukashenka.

Deklaratat e Lukashenkës vijnë në kohën kur Bashkimi Evropian dënoi sërish dhunën kundër protestuesve bjellorusë dhe paralajmërimit për sanksione të reja ndaj Minskut pas vdekjes së një 31-vjeçari bjellorus që besohet të jetë vrarë nga forcat e maskuara të sigurisë.

Lukashenka, i cili udhëheqë Bjellorusinë që 26 vjet, po përballet me protesta të përditshme me kërkesën për dorëheqjen e tij, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale për të cilat opozita dhe qeveritë perëndimore thonë se ishin të manipuluara.

LEXO EDHE:

Back to top button