LVV këmbëngul për hapjen e urës së Ibrit
LVV këmbëngul për hapjen e urës së Ibrit
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shqiptarë dhe Mitrovicën e Veriut të banuar me serbë. Sipas saj, kundërshtimet e faktorit ndërkombëtarë s’kanë asnjë bazë, prandaj ura duhet të hapet për qarkullim për automjete dhe të sigurohet liria e plotë e lëvizjes. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se ura duhet të hapet edhe si simbolik e heqjes së elementit të fundit për ndarjen e veriut.
“Kundërshtimet nuk po duken që kanë bazë tashmë pas krejt ngjarjeve që kanë ndodhur në komunat në veri që mund të parandalojnë hapjen e urës. Hapja e urës në aspektin e lëvizjes së lirë paraqet një prej elementeve thelbësore për qytetarët e asaj ane. Gjithashtu edhe në aspektin e simbolikës së ndarjes që ka prezantuar ura është tejet pozitive që të hiqet edhe elementi i fundit i simbolikës së ndarjes së veriut. Është e pakuptimtë të shkohet deri në kufirin më verior të Kosovës dhe të mbetet një urë këtu që lidh qytetin jugun dhe veriun e Mitrovicës e mbyllur. S’ka kuptim dhe s’ka asnjë sens”, tha Mimoza Kusari-Lila, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thekson se ura duhet të hapet, por në koordinim me aleatë.
“Nuk besoj se ka qytetarë në Republikën e Kosovës dhe ne si deputetë që nuk ka qejf me u hap ura e Ibrit. Mirëpo duhet koordinim me aleatë ndërkombëtarë, pasi falë tyre sot jemi këtu. Çdo herë kur jemi ulë dhe dakordu ne kemi fituar. Në këtë rast shpresoj që kryeministri mos të punojë në kokë në veti por të ulet dhe dakordohet”, u shpreh Rrezarta Krasniqi, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nga ana tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se hapja e urës mbi Ibër do të jetë e vështirë, pasi KFOR-i mund t’i vendosë trupat e saj mbi urë dhe mund të jetë një situatë e palakmueshme.
“Sa i përket hapjes së urës mendoj se do të jetë e vështirë edhe pse është veprim legal dhe i mundshëm. Por problemi është se KFOR sigurisht do t’i vendosë trupat e saj dhe në rast se Kosova tenton të bëjë diçka të tillë atëherë do të vejë Kosovën para një situatë e cila nuk do të je të e lakmueshme”, shtoi Sinkron Arbnor Sadiku, analist.
Këto ditë janë bërë testimet e fundit të fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve. Bashkësia ndërkombëtare ka kundërshtuar hapjen e urës së Ibrit, të cilët kanë kërkuar një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi për hapjen e saj. Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë protestuar duke kundërshtuar hapjen e urës.