Macron: Evropa do të ndërmjetësojë në krizën e Bjellorusisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, premtoi ndihmën e Evropës në ndërmjetësimin e krizës politike në Bjellorusi.

“Ne do të bëjmë më të mirën tonë si evropianë, për të ndihmuar në ndërmjetësim”, u tha Macron gazetarëve në Vilnius të Lituanisë, ku takoi udhëheqësen e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Presidenti francez “na premtoi se do të bëjë gjithçka të mundur për të na ndihmuar me negociatat gjatë kësaj krize politike në vendin tonë. Ai do të bëjë gjithçka edhe për të ndihmuar lirimin e të burgosurve politikë”, tha Tsikhanouskaya.

Bjellorusia është përfshirë nga protestat kundër regjimit të Alyaksandr Lukashenkës qysh pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në të cilat Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.

Sipas protestuesve, opozitës dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet janë manipuluar në favor të Lukashenkës.

Protestat janë shtypur brutalisht nga policia, me rrahje dhe arrestime masive.

Tsikhanouskaya është strehuar në Lituani shumë shpejt pas zgjedhjeve, pasi ka pasur raporte se autoritetet kanë planifikuar arrestimin e saj.

Vendet perëndimore kanë refuzuar ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kanë kërkuar atij të negociojë transferimin e pushtetit.

Lukashenka refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

Përpara udhëtimi treditor në Lituani dhe Letoni, Macron ka thënë se është e qartë se Lukashenka “duhet të shkojë” pas 26 vjetësh në pushtet.

LEXO EDHE:

Back to top button