Majami kampion në Lindje, sfidon Denverin për titullin në NBA

Skuadra e Majami Hit është shpallur kampione në Konferencën e Lindjes. Ekipi nga Florida mundi 103-84 Boston në ndeshjen e shtatë finale, duke fituar 4-3 serinë. Një sukses që dërgon Majamin në finalen e madhe, ku do të përballet me Denver Nagetsin (kampion në Konferencën e Perëndimit) për titullin në NBA.

Majami arriti të rikthehet te fitorja, pas tri humbjesh radhazi, duke mposhtur Boston në shtëpinë e këtij të fundit. Seltiks që u bënë protagonistë të një rikuperimi fantastik (nga 0-3 në 3-3), nuk arritën të kompletojnë edhe hapin e fundit edhe pse luanin në fushën e tyre dhe ishin më të motivuar se rivalët.

Ndeshja e shtatë u komandua nga Majami, ku Xhimi Batler realizoi 28 pikë, mbështetur edhe nga Kaleb Martin me 26 pikë e 10 kërcime. Në anën tjetër, për Bostonin, u dalluan Braun me 19 pikë e Uajt me 18, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Majami ka vetëm dy ditë për të përgatitur për finalen e pare ndaj Denverit.

LEXO EDHE:

Back to top button