Man. Junajted “fundoset” në “Old Traford”, Bardhi pëson disfatë në Hungari

Skuadra e Man. Junajtedit përjetoi disfatë befasuese në fillim të sezonit të ri në Ligën Evropa, pasi që në “Old Trafford”, ekipi i kombinuar nga trajneri Ten Haag, me Kristiano Ronaldon në 11-shin e parë,  humbi 1:0 ndaj Real Sosiedadit. Vendasit e nisën me Maguire dhe Lindelof në mbrojtje dhe disa rezerva të tjera, ndaj në fund, pavarësisht ndryshimeve të bëra nga strategu holandez, nuk arritën të parandalojnë humbjen në shtëpi. Real Sosiedadi ka festuar falë golit të Mendezit nga penalltia.

 

Tejet emocionuese ishte sfida në Budapest, ku Ferencvaros mposhti Trabzonsporin, ku luan Enis Bardhi me rezultat 3:2, edhe pse nga minuta e 16-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Çiviçit. Bardhi e nisi ndeshjen mirë dhe kishte disa asiste të rrëzikshme në zonën e rrezikut, por u tërhoq nga loja pas përfundimit të pjesës së parë.

 

Skuadra e Lacios, më lehtë se sa mendohej arriti të sigurojë 3 pikët e para në sezonin e ri nga Liga Europa Në Romë, “Shqiponjat” mposhtën me rezultat 4:2 skuadrën e Fejnord-it, në një ndeshje ku tashmë në pjesën e parë kishin epërsi 3:0 me golat e Luis Alberto, Felipe Anderson dhe Vesino. Në pjesën e dytë Vesino me golin e dytë rriti në 4:0, pas të cilit dy golat për mysafirët të shënuar nga Himenez dhe Idrisi, nuk ndryshuan shumë në ndarjen e pikëve.

 

Pritshmëritë e mëdha të tifozëve të Crvena Zvezda Beogradit kanë rënë në ujë në stadiumin në Beograd. Ndonëse vendasit kishin disa raste të shkëlqyera për të hapur rezultatin në pjesën e parë, i lejuan vetes të mbeten pa “municione” dhe dënimi erdhi në pjesën e dytë, kur skuadra franceze arriti të fitonte 1:0 me një goli i penalltisë dhe tre pikët e para në grup.

LEXO EDHE:

Back to top button