Man. Junajted futen në garë dhe konkuron Milanin për mesfushorin e Valencia-s

Man. Junajted i është shtuar listës së ekipeve që interesohen për Havi Guerra-n. Mesfushori 22-vjeçar i Valencia-s ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, një prej tyre është edhe Milan që e ndjek prej kohësh spanjollin, por Man. Junajtedi duket më afër tij. Klubi italian duket se është dorëzuar në garën për yllin spanjoll, për shkak të çmimit të tij të lartë.

“Djajtë e Kuq” po kërkojnë të forcojnë mesfushën me një lojtar dinamik dhe të gjithanshëm. Negociatat midis të dyja palëve po përparojnë, veçanërisht pas arritjes së një marrëveshjeje verbale në lidhje me kushtet personale të lojtarit, i cili tashmë e ka informuar Valencia-n se nuk do ta rinovojë kontratën e tij.

Interesi i ekipit të drejtuar nga Ruben Amorim për Havi Guerra-n nuk është i ri, por nevojat aktuale të klubit anglez e kanë përshpejtuar procesin. Me largimin e Kristian Eriksen si lojtar i lirë dhe pasigurinë rreth të ardhmes së Kasemiro-s, drejtuesit e Man. Junajtedit e shohin të riun spanjoll si lojtarin ideal për t’i besuar një rol të rëndësishëm në mesin e fushës.

Tani vjen pjesa më e vështirë, ku Man. Junajted duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me Valencia-n, pasi ka rënë dakord për kushtet personale me lojtarin. Klubi i La Ligës kërkon 70 milionë euro për “diamantin” e tyre dhe vështirë të pranojë ofertë më të ulët se kjo shifër.

LEXO EDHE:

Back to top button