Mangësitë gjuhësore të platformës Facebook dobësojnë filtrimin e gjuhës së urrejtjes dhe terrorizmit

Ndërsa zhvillohej lufta në Gaza dhe tensionet rriteshin në Lindjen e Mesme në muajin maj, Instagrami ndaloi për pak kohë materialet me hashtag #AlAqsa, që i referoheshin Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalemin e Vjetër, një pikë e nxehtë e konfliktit.

 

Kompania Facebook, e cila zotëron rrjetin Instagram, kërkoi më vonë ndjesë, duke shpjeguar se algoritmet e saj kishin ngatërruar emërtimin e vendit të tretë më të shenjtë të Islamit, me emrin e Brigadës së Martirëve Al-Aqsa, krahu i armatosur i partisë Fatah.

 

Për folësit e gjuhës arabe, ky ishte vetëm shembulli më i fundit se si gjigandi i mediave sociale kufizon debatin politik në rajon. Arabishtja është ndër gjuhët më të përdorura në platformën e Facebook-ut, dhe kompania kërkon ndjesë herë pas here për heqje materialesh të ngjashme.

 

Tashmë, dokumenta të brendshme të publikuara nga ish-menaxherja në kompaninë Facebook, Frances Haugen, tregojnë se problemet në sistem janë shumë më të pranishme, se ato nuk janë thjesht disa gabime të pafajshme, dhe se kompania Facebook e ka kuptuar prej vitesh rëndësinë e këtyre dështimeve dhe se ka bërë pak për t’i korrigjuar.

Gabimet nuk kufizohen vetëm tek materialet në gjuhën arabe. Një shqyrtim i dokumentave të publikuara zbuloi se në disa prej rajoneve më delikate të botës, përhapen materiale me përmbajtje terroriste dhe gjuhë urrejtjeje, për shkak se kompania nuk ka moderatorë të mjaftueshëm që flasin gjuhët vendase dhe që kuptojnë kontekstin kulturor. Platformat gjithashtu nuk kanë ofruar zgjidhje nëpërmjet inteligjencës artificiale për filtrimin e përmbajtes së dëmshme në disa gjuhë të ndryshme.

 

Në vende si Afganistani dhe Mianmari, këto hendeqe kanë lejuar lulëzimin në plaftformë të fjalorit provokues, ndërsa në Siri dhe në territoret palestineze, Facebook-u ndalon komunikimin e zakonshëm, duke bllokuar fjalët e përditshme.

 

“Problemi thelbësor është se platforma nuk u ndërtua me synimin që një ditë të moderonte komunikimet politike të të gjithë njerëzve nëpër botë”, thotë Eliza Campbell, drejtore e Programit Kibernetik në Institutin e Lindjes së Mesme. “Por, për shkak të rëndësisë politike dhe burimeve që Facebook-u ka, moderimi është një projekt me mbështetje çuditërisht të pakët”.

 

Ky është vetëm një ndër artikujt e publikuar të hënën, bazuar në dokumentat e paraqitura nga zonja Haugen tek Komisioni për Siguracionet dhe Këmbimin (një agjenci e qeverisë amerikane që vëzhgon investimet dhe praktikat tregtare), materiale të cilat iu paraqitën edhe Kongresit nga ekipi i saj ligjor, në një formë të redaktuar. Materialet, në versionin e redaktuar, u shqyrtuan edhe nga një konsorcium organizatash të pavarura të mediave, ndër to edhe agjencia e lajmeve Associated Press.

 

Në një deklaratë që kompania Facebook i dërgoi agjencisë Associated Press, një zëdhënës shprehet se gjatë dy viteve të fundit kompania ka punësuar më shumë staf me dialekt vendas dhe me expertizë tematikash, për të rritur kapacitetet e saj për të shqyrtuar përmbajtjen në mbarë botën.

 

Krahas arabishtes, probleme të ngjashme u shfaqën me gjuhën në Mianmar, ku pas pastrimit etnik të rohingave dhe grushtit ushtarak të shtetit, grupet e të drejtave të njeriut thanë se algoritmi i Facebook-ut vazhdoi të mbështesë propagandën e ushtrisë. Megjithë debatin e brendshëm të stafit të Facebook-ut në Indi, platforma nuk filtroi pjesën më të madhe të përmbajtjes anti-myslimane të partisë së djathtë nacionaliste të Kryeministrit Narendra Modi.

 

Gjatë revoltës së Pranverës Arabe në vitin 2011, Facebook-u krijoi fillimisht një bazë masive përdoruesish në Lindjen e Mesme. Ata e shikonin këtë platformë si një mundësi e rrallë e shprehjes së lirë dhe një burim jetik lajmesh në një rajon ku qeveritë autokratike ushtrojnë kontroll të rreptë. Por, ky reputacion ka ndryshuar gjatë viteve të fundit.

LEXO EDHE:

Back to top button