Manovra surprizë e Bjellorusisë

Manovra surprizë e Bjellorusisë

Bjellorusia, një nga aleatët e Rusisë, ka njoftuar se Forcat e Armatosura të vendit kanë nisur një sërë stërvitjesh të paprogramuara, me qëllim vlerësimin e gatishmërisë së kapacitetit të saj luftarak, përballë një “krize” të mundshme.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes së Bjellorusisë, siç raportohet nga agjencia e lajmeve TASS, ka saktësuar se “ka filluar një kontroll i befasishëm i Forcave të Armatosura të Bjellorusisë, gjatë të cilit njësitë dhe nënnjësitë ushtarake do të duhet të vihen në gatishmëri dhe të marshojnë në zonat e caktuara, duke kryer detyrat e stërvitjes luftarake”.

Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se këto lloj ushtrimesh janë “mënyrat më efektive të stërvitjes së trupave dhe nuk paraqesin asnjë kërcënim për komunitetin europian në tërësi apo për vendet fqinje në veçanti”.

Minsku ka shpjeguar gjithashtu se forcat e përfshira “do të rriten gradualisht, gjë që do të bëjë të mundur testimin e aftësisë së tyre për t’iu kundërvënë kërcënimeve ushtarake, si në tokë, ashtu edhe në ajër”.

Për mënyrën se si do të zhvillohen këto stërvitje ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë ka deklaruar vetëm se “njësitë ushtarake do të veprojnë në vende të panjohura për to dhe në kushte të një situate që ndryshon me shpejtësi”, pa specifikuar kohëzgjatjen e manovrave.

Ajo që është specifikuar qartë është qëllimi i këtyre aktiviteteve: “Objektivi i këtij testi është vlerësimi i përgatitjes dhe kapacitetit të personelit për të reaguar shpejt ndaj një krize të mundshme”.

Që nga nisja e luftës, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka treguar Bjellorusinë si një nga bashkëpunëtorët e Rusisë në kryerjen e pushtimit që vendi i tij ka pësuar, që nga 24 shkurti i kaluar.

Ushtria ruse përdori territorin bjellorus në kufi me Ukrainën për inkursionin e saj ushtarak në fillim të fushatës dhe gjithashtu e përdori atë më vonë për t’u tërhequr atje, kur u largua nga rajonet veriore të Ukrainës, Kiev dhe Chernigov.

LEXO EDHE:

Back to top button