Maqedoni-Bullgari, mblidhet Komisioni në përpjekje për kapërcimin e dallimeve

Komisioni i përbashkët i ekspertëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në takim dyditor në Shkup, për t’i diskutuar dallimet rreth historisë. Nën presion politik për kompromis deri më 10 nëntor, si kusht që Sofja të mos e bllokojë fillimin e negociatave mes Shkupit e BE-së, nga komisioni priten rezultate konkrete lidhur me ngjarjet e shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20, lëvizjet kulturore e politike të asaj periudhe dhe në veçanti figurës së Goce Dellçevit. Priten rezultate konkrete edhe në çështjen e librave të historisë për filloristët, ndërsa në takimet e deritanishme komisioni ka arritur marrëveshje për 5 figura historike, edhe atë: Sh. Kirilin dhe Metodin, Sh. Klimentin, Sh. Naum i Ohrit, Car Samoili dhe Grigor Përliçevin. Ministri i Jashtëm, Osmani inkurajoi historianët të përafrojnë qëndrimet, në mënyrë që përfundimisht politikanët e dy vendeve t’iu japin fund dilemave eventuale të mbetura. Sipas tij, mos fillimi i negociatave me BE-në në dhjetor, do të ishte dështim si për Procesin e Berlinit, ashtu edhe për Unionin.

Çdo konsensus që do ta arrijë komisioni, vetëm do të na lirojë nga energjia negative dhe do të na afrojë. Jemi anëtare e NATO-s, kemi vendim për fillim të negociatave me BE-në dhe absolutisht duhet të kemi vetëbesim rreth atyre që i vlerësojmë si vlera dhe atë që duhet ta kalojmë. Nuk ka arsye për t’u frikësuar. Nuk duhet të lejojmë emocione, agjenda të politikës ditore, recidivë të së kaluarës, ndërtim të ndjenjave anti-bullgare, këto dëmtojnë procesin – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Ndryshe, kryeministri dhe kryediplomatja bullgare, Borisov e Zaharieva së fundmi thanë se Shkupi nuk mund ta vazhdojë rrugën drejt BE-së, nëse deri më 10 nëntor nuk arrin kompromis me Sofjen për gjuhën maqedonase dhe historinë e përbashkët. Ndërsa Brukseli pret të dyfishohen përpjekjet për tejkalimin e dallimeve, në mënyrë që negociatat të fillojnë deri në fund të vitit.

Anesa Saliu

LEXO EDHE:

Back to top button