Tetovë, bllokimi i rrugëve pengon zjarrfikësit dhe ndihmën e shpejtë

Tetovë, bllokimi i rrugëve pengon zjarrfikësit dhe ndihmën e shpejtë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Normalisht kjo shenjë nënkupton ndalesë parkimi të makinave në këtë zonë, megjithatë në disa vende të qytetit të Tetovës, nga disa vozitës të pandërgjegjshëm, kjo shenjë nuk llogaritet aspak dhe makinat parkohen pikërisht aty ku është e vendosur edhe shenja.

Fenomen i këtillë po përsëritet pothuajse në gjitha rrugët e qytetit, me theks të veçantë ato dytësore. Parkimet në vend të ndaluar nuk mungojnë madje as në rrugën e spitalit dhe atë që të shpie tek stacioni policor. Shpesh bllokohen hyrjet e pallateve. Mjekët e ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësit thonë se shpesh hasin në pengesa gjatë intervenimeve.

“Kaosi që krijohet në komunikacion në Tetovë e sidmos në këtë pikë këtu, vështirëson shumë punën tonë. Dihet që zjarrfikësit kur vonohen është dëm material dhe jetë njerëzish. Në qytetin e Tetovës, policia duhet patjetër të del në vende që duhet patjetër të jenë të lira por nuk intervenohet andaj i bëj apel policisë së Tetovës të merr masa në këto vende”, tha Avni Ameti. Kryeshef i NJTKZ Tetovë.

“Në terren situata është tejet e vështirë për të punuar si ekipë i ambulancës, shkaku i ndërgjegjes shumë të ulët të disa qytetarëve për mënyrën si kyçn në komunikacion, si parkohen, si e zënë rrugën. Gjatë eksperiencës, kemi pas situata shumë urgjente ku çdo sekondë kushton jetë për pacientin, mirëpo kemi hasur në disa qytetarë që parkohen keq dhe nuk i lirojnë rrugën ambulancës”, u shpreh Besnik Mustafai, Mjek në repartin e ndihmës së shpejtë.

Nga SPB në Tetovë thonë se përkundër gjobave që shqiptojnë qytetarët përsëri shkelin rregullat në komunikacion.

“vetëm nga pjesëtarë të SPB-së së stacionit të Tetovës, gjatë katër muajve janë ndërmarr 1350 masa ndaj shkelësve që nuk kanë respektuar rregullat e parkimit. Gjatë kësaj periudhe po ashtu nga shërbimi merimangë i komunës janë ngritur 609 automjete që kanë penguar rrjedhën normale në komunikacion. Nga ana jonë gjithë kohës merren masa, mirëpo vetëdija tek shoferët assesi të rritet”, tha Fatmir Rexhepi zëdhënës i SPB Tetovë.

Autoritetet u apelojnë qytetarëve që të respektojnë shenjat në komunikacion dhe mos të bllokojnë rrugët./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button