Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sot filluan procesin e skriningut në Bruksel      

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sot filluan procesin e skriningut në Bruksel      

Gazetar: Lluka Andreev

Maqedonia e Veriut filloi skriningun, si hap i parë i procesit negociator për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan Alsat.

Në Bruksel, ekspertët nga vendi, të udhëhequr nga kryenegociatori Bojan Mariçiq, dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian filluan shqyrtimin e legjislacionit nga kllasteri i parë, i cili ka të bëjë me prokurimin publik. Mariçiq pret që procesi të rezultojë me evropianizimin e shoqërisë dhe funksionimin evropian të shtetit.

“Ekipi jonë, ekipi i Maqedonisë së Veriut këtu në Bruksel, por dhe kolegët që na ndjekin ën Shkup janë të gatshëm t’i dëgjojnë përvojat tuaja dhe këshillat për atë se si më së miri të plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE-së në fushën e prokurimit publik”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane.

“Është kënaqësi e madhe t’i përshëndes delegacionet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë takim të procesit të skriningut, sepse më duhet të them ky është një moment i lumtur dhe emocionues, sepse kjo ndodh pas një pritje të gjatë dhe një rruge me pengesa të mëdha. Por tani jemi këtu dhe kjo është vërtetë kthesë e madhe për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, por edhe për BE-në”, u shpreh Mikela Matuela, drejtore e KE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në Facebook ka theksuar se sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve, të cilët meritojnë të jetojnë në një shoqëri evropiane. Ai vlerësoi se ekipi i Maqedonisë është i gatshëm për sfidën.

“Negociatat me Bashkimin Evropian janë të hapura! Pas 17 vitesh pritje, sot në Bruksel u hap procesi i skriningut të Maqedonisë së Veriut, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne po fillojmë një proces në të cilin do të thellohen reformat thelbësore për zbatimin e rregulloreve evropiane, për evropianizimin e shoqërisë dhe për funksionimin evropian të shtetit”, ka shkruar Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Përveç Maqedonisë së Veriut, skriningun e nisi edhe Shqipëria. Pas rishikimit të legjislacionit nga kllasteri i parë, dedikuar administratës, drejtësisë dhe prokurimit publik, Komisioni Evropian duhet të dalë me vlerësimet dhe rekomandimet e tij në këtë fushë në fund të nëntorit.

Skriningu i përgjithshëm pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, pas së cilës do të caktohet Konferenca e dytë Ndërqeveritare kur të hapen kapitujt e negociatave.

Në rastin e Tiranës konferenca do të caktohet automatikisht, ndërsa Shkupi fillimisht duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për hapjen e kapitujve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button