Tensionet Arsovska-VMRO, çfarë tha sot ajo për Mickoskin
Tensionet Arsovska-VMRO, çfarë tha sot ajo për Mickoskin

Gazetar: Mefail Ismaili
“Ku është kryetari sulmues, nuk e shoh këtu. Ku fshihet Mickoski”, tha fillimisht kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, shkruan Alsat.
Kështu u shfaq në Këshillin e Qytetit të Shkupit kryetarja Danella Arsovska. Kur u pyet se cilat janë arsyet që kërkon ndryshime të emrave të komisionit evaluues në tenderin për ndërtimin e Stacionit pastrues të ujërave të zeza, Arsoska nuk u përgjigj për këtë çështje, por hapësirën e shfrytëzoi për të fyer kreun e VMRO-DPMNE-së dhe funksionarët e saj.
“Ju lutem me gënjeshtrat dhe manipulimet të ndaloni pak. Ndërsa kryetarit sulmues, Mickoski të mos fshihet, të luftonte me pushtetin, të luftonte kundër marrëveshjeve kontestuese siç lufton tani këto 3-4 ditë me mua do e shpëtonte Maqedoninë”, theksoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupi.
Kryesuesi i Këshillit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së në disa raste ia fiku mikrofonin Arsovskës, duke e porositur që të mos e keqpërdor foltoren për deklarata politike.
“Kjo nuk është përgjigje në pyetje, ky është fjalim politik, ju lutem këtu nuk mund të mbani fjalim politik”, tha Trajko Sllaveski, kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Lluke Galeski, akuzoi kreun e qytetit të Shkupit, se një ditë pasi i ka lavdëruar për sukseset në punë, ka kërkuar prej drejtorëve të kësaj partie që të largohen nga pozitat.
“Është fakt se edhe dy drejtor të tjerë dhanë dorëheqje, të njëjtët drejtor të cilët Arsovska i lavdëronte se i kryejnë detyrat e tyre, të nesërmen u shkarkuan, e tani kur ishin të mirë një ditë para kur i lavdëronit, ose kur dhanë dorëheqjen. Ata vetë ikën, por menjëherë pas kësaj u lëshuan informata në media nga Qyteti i Shkupit dhe Arsovska, se oferta ka qenë ose jepni dorëheqje ose ikni”, u shpreh Lluke Galeski, VMRO-DPMNE.
Përplasja mes VMRO-DPMNE-së dhe kryetares së Qytetit të Shkupit morri hov pas shkarkimit të drejtorit të Nndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, Zllatko Perinski, i cili nuk ka pranuar që të ndryshohen anëtarët e Komisionit evaluues që punojnë për përgatitjen e procedurave dhe tenderëve me Bankën Evropiane për Investim, për ndërtimin e Stacionit pastrues të ujërave të zeza në Shkup./ Alsat.mk