Maqedonia e Veriut, publikon emrat e të dyshuarve për terrorizëm

Maqedonia e Veriut, publikon emrat e të dyshuarve për terrorizëm

Gazetar: Adrian Kerimi

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm nga rajoni dhe më gjerë i cili me vendim të Qeverisë publikon listën e personave të përfshirë në masat restriktive financiare. Vendimi i Qeverisë për të zbatuar masa restriktive ndaj 15 shtetasve të dyshuar për terrorizëm ka për qëllim parandalimin e veprimtarisë së tyre në financimin e akteve terroriste dhe përhapjen e tij përmes ideologjive të ndryshme. Në vendimin e publikuar në Gazetën Zyrtare janë potencuar emrat, të dhënat personale, vendbanimet, veprat për të cilat dyshohen dhe periudhat kur janë larguar nga vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS dhe luftës në Siri. Të dyshuarit do të jenë nën llupën e Drejtorisë së Zbulimit Financiar duke qenë në kohë të pa caktuar nën vendimet për të mos pasur mundësi transaksioni, shitblerje të pronës, posedim të pronës, besimi direkt ose indirekt të pronës ndaj një personi tjetër fizik ose juridik, tjetërsim i pronës dhe ndalimi i shfrytëzimit të objekteve afariste.

Qeveria nuk ka dhënë një shpjegim nëse me publikimin e të dhënave personale, akuzave për të cilat ndiqen penalisht dhe dhënien e adresës së banimit cenohet drejtpërdrejt siguria e tyre familjare dhe integriteti i familjeve të tyre. Pjesa dërmuese e tyre janë larguar në vitin 2014 dhe 2015. Shtetasit, emrat e të cilëve janë publikuar nuk dihet nëse akoma janë në vatrat e mbetura të luftës, kanë lëvizur nëpër vende të tjera ose janë vrarë në fronte luftarake, por ajo që dihet është se janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale. Qeveria në vendim ka përfshirë edhe të dhëna operative, derisa ka potencuar edhe daljet e fundit nga pikat konkrete kufitare të personave të dyshuar për terrorizëm. akuzat e tyre janë për pjesëmarrje në luftëra dhe formacione paramilitare jashtë vendit, financimin dhe motivimin e pjesëmarrjes në luftëra jashtë vendit, shpërndarjen dhe propagandimin e ideologjisë xhihadiste nëpër rrjetet sociale dhe strehimin e personave të dyshuar për terrorizëm./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button