Maqedonia shënon sot 11 tetorin, ditën e fillimit të kryengritjes popullore kundër fashizmit

Maqedonia e Veriut sot shënon 80 vjetorin e fillimit të Kryengritjes popullore çlirimtare. Në ceremoninë e shënimit të 11 tetorit në Mogilla të Prilepit, presidenti , Stevo Pendarovski, deklaroi se nëse maqedonasit nuk ishin pjesë e anti fashizmit, sot nuk do të kishin shtetin e tyre. Ai në fjalimin e tij në asnjë moment nuk përmendi fashizmin bullgar, i cili periudhën e fundit është çështje aktuale në kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ndër të tjera Pendarovsi tha se kryengritja në radhët e saj kishte rryma të ndryshme anti fashiste, pa dallime etnike dhe fetare.

Është fakt i pakontestueshëm historik se kryengritja kishte në radhët e saj thuajse të gjitha rrymat ideologjike të lëvizjes çlirimtare maqedonase. Në atë front të vetëm hynë edhe anti fashistët dhe demokratët edhe komunistët. Në aradhet partizane hyrën edhe Ilindenasit e vjetër, edhe luftëtarët spanjoll dhe edhe studentët e avancuar. Mes tyre kishte maqedonas, shqiptar, turq, vlleh, romë, serb, boshnjak, hebrenj, të krishterë, myslimanë dhe ateist – tha Stevo Pendarovski, president.

Manifestime dhe fjalime u mbajtën edhe nga opozita e cila akuzoi pushtetin se po shkel mbi dinjitetin e atyre që luftuan për shtet dhe dinjitet nacional.

Në kohën kur liria jonë po kufizohet përsëri, kur po bëhen ndarje, kur nuk ka përgjegjësi për askënd ose asgjë, kur librat përfundojnë në deponi, kur njerëzit nuk ndihen të sigurt, kur qeveria bën tregti me trashëgiminë tonë, është më se e qartë se nevojiten ndryshime – u shpreh Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Në Kuvend çmimi shtetëror “11 tetori” për krijimtari jetësore iu nda filologut Atanas Vangellov, akademikut Pavle Kuzmanovski, aktores Bedia Begova si dhe politologut Mahi Nesimi. Në emër të fituesve të çmimit akademiku Pavle Kuzmanovski tha se ky çmim është përgjegjësi e madhe për krijuesit, por edhe për të rinjtë. Ndërsa politologu Mahi Nesimi tha se pushtetet duhet të mendojnë për buxhet më të madh në krijimtarinë shkencore.

Vetëm një përgjegjësi është më e madhe nga përgjegjësia e artistit, dhe të gjithë krijuesve, ndërsa ajo është përgjegjësia e gjeneratave të reje, e të rinjve, të cilët krijimtarinë nacionale duhet ta ruajnë dhe respektojnë. Andaj sot do të shtoj, gjithçka që krijojmë, krijojmë për ju!”, tha Pavle Kuzmanovski, fitues i çmimit “11 Tetori”.

“Me 0,1% të buxhetit për zhvillimin e shkencës, popullata nuk ka çfarë ardhmërie të pret. Andaj po bëj apel që politika të mendojë edhe për zhvillimin e shkencës – tha Mahi Nesimi, fitues i çmimit “11 Tetori”.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button