Mariçiq: Pas ndryshimeve kushtetuese, nuk pres bllokadë tjetër nga Bullgaria

Mariçiq: Pas ndryshimeve kushtetuese, nuk pres bllokadë tjetër nga Bullgaria

Gazetar: Lluka Andreev

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq tha se Bullgaria nuk do kishte kredibilitet për të bllokuar vendin përsëri nëse miratohen ndryshimet kushtetuese. Edhe pse së fundmi ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se është i sigurt se Bullgaria do të paraqiste kërkesa të reja, Mariçiq thotë se detyrimet janë të shkruara në letër.

“Çdo shtet anëtar, ka mundësi gjatë procesit të negociatave të hapë çështje, por detyrimet tona me Bullgarinë janë të shënuara dhe të shkruara fort në kornizën negociuese dhe në të gjitha dokumentet dypalëshe që kemi me ta dhe unë nuk pres ndonjë bllokadë tjetër pas përfundimit të këtij obligimi të madh”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Fundjavën e kaluar ministrja e jashtme bullgare Maria Gabriel tha se nuk kishte kushte të reja përveç atyre ekzistuese. Ajo përmendi ndryshimet kushtetuese, zbatimin e marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe dy protokollet që dalin prej saj. Gabriel pret që Shkupi të mos vetë-sabotohet. Nga ana tjetër, Mariçiq tha sot se me çdo ditë që kalon ka më pak kohë për të përfunduar detyrat, por ai pret që procesi i ndryshimeve kushtetuese të përfundojë deri në fund të vitit.
Zëvendëskryeministri përsëriti se në këtë drejtim po bisedohet edhe me deputetë dhe parti politike në përgjithësi. Integrimi evropian ishte gjithashtu tema kryesore e të ashtuquajturit ekip strategjik të LSDM-së, i cili u ul në të njëjtën tryezë me Kovaçevskin dhe Zaevin, por Mariçiq nuk zbuloi se cilat përfundime u arritën në mënyrë që të përmbushej obligimi i marrë për t’i futur bullgarët në Kushtetutë.

“Bëhet fjalë për një organ shumë të rëndësishëm në të cilin janë mbledhur njerëz me shumë përvojë politike, të cilët gjithashtu duhet të kontribuojnë në ndërtimin e kohezionit të brendshëm të partisë, por edhe në strategjinë pozitive për të fituar zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq theksoi se votimi për ndryshimet kushtetuese do të caktohet në momentin kur qeveria do jetë afër sigurimit të 80 votave për miratimin e tyre. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button