Marrëveshja finale SASHK-Qeveri, për 10 ditë

Marrëveshja finale SASHK-Qeveri, për 10 ditë

Gazetare: Melihate Rustemi

Të premten, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska duhet të jap fjalën përfundimtare nëse të punësuarit në çerdhe që ishin në grevë do të marrin paga të plota ose jo, shkruan Alsat.

Marrëveshja paqësore e arritur mbrëmë mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit parashikon rritje të pagave në arsim dhe kopshte për 15 %. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se përveç rritjes së pagave do të precizohen edhe çështjet e mbetura që do të përmbaj marrëveshja kolektive e të cilat duhet të nënshkruhen gjatë muajit shtator nga mësimdhënësit.

“Do të kemi rritje të pagave duke filluar me pagesën ne pagës për muajin shtator, 15 % për të gjithë të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm. Bashkërisht me përfaqësuesit e sindikatës do të vazhdojmë për të saktësuar edhe elementet të cilat do ti kemi në kontratat kolektive për sektorin e arsimit në periudhën e ardhshme”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Kreu i SASHK-ut Jakim Nedelkov tha se është shumë e rëndësishme që të futet një praktikë e re e partneritetit ndërmjet Sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit për të krijuar buxhetin e ardhshëm, e veçanërisht buxhetin për paga për vitin 2023 e më tej.

“Nuk e kemi pasur deri më tani, por këtu do të jemi në një farë mënyre korrigjues edhe të inflacionit, edhe të rritjes së pagës minimale. Me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës u pajtuam që një situatë e tillë të mos përsëritet në periudhën e ardhshme, në këtë mënyrë të kërkohet harmonizimi i pagave. Besoj që anëtarësia jonë do ti pranojë rekomandimet e ndërmjetësuesit dhe do të më jepet e drejta që njëzëri të nënshkruajë marrëveshjen”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Marrëveshja tashmë e arritur pritet të nënshkruhet brenda 10 ditësh, pasi Këshilli I SASHK-ut do të merr pëlqimin nga të gjitha organizatat sindikale të vendit. SASHK-u më 11 prill filloi grevën e përgjithshme me kërkesë për rritje të pagave për 18.5%, përkatësisht harmonizimin e tyre me pagën minimale, e cila nga marsi është rritur në 18.000 denarë. Pas disa ditësh, qeveria u ofroi rritje të pagave, fillimisht prej 10 e më pas dhe 12 % të cilat u refuzuan thuajse qind për qind nga anëtarët e sindikatës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button