Marrëveshja Kosovë-Serbi, Bislimi: Asociacioni, Organizatë Joqeveritare

Marrëveshja Kosovë-Serbi, Bislimi: Asociacioni, Organizatë Joqeveritare

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është hapi i radhës që dyja vendet duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.

“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes. Negociata të mëtejme ende duhet të bëhen për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit e dispozitave të marrëveshjes”, deklaroi Xhozep Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq konfirmuan se kanë rënë dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por thanë se nuk kanë nënshkruar asgjë dhe për këtë fajësuan njëri-tjetrin.
Kurti tha se ka qenë i gatshëm për nënshkrim, por se pala serbe ka refuzuar.

“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Vuçiq tha se ka qenë Kurti ai që nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, theksoi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Për këtë çështje, numri dy i Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian tha sot se Asociacioni nuk nënkupton autonomi territoriale por vetëm organizatë joqeveritare.

“Do të jetë një institucion joqeveritar që koordinon këtë çështje, por kurrë nuk është paraparë si një autonomi territoriale për asnjë pjesë të vendit, qofshin ato komunat në veri apo në jug”, tha Besnik Bislimi, zv.kryeministër.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq iu kundërpërgjigj Bislimit. Tha se Asociacioni do të formohet sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.

“Nuk do të devijojë as edhe një pikë nga Marrëveshja e parë e Brukselit dhe aktet e tjera nga dialogu që përcaktojnë qartë Asociacionin e komunave serbe. Asociacioni s’do të jetë siç Besnik Bislimi ose Albin Kurti do të donin, por do të formohet sipas asaj që është nënshkruar në Bruksel”, u shpreh Petar Petkoviq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. BE-ja dhe SHBA-të kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button