Ministrat e ASH-së morën detyrat e tyre

Ministrat e ASH-së morën detyrat e tyre

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministrat e rinj të sapo zgjedhur nga Kuvendi pranuan detyrat. Krenar Lloga mori detyrën nga Nikolla Tupançevski edhe pse ky i fundit dha dorëheqjen më 13 shkurt dhe po atë ditë Kuvendi e konstatoi të njëjtën. Detyrën nga Bekim Sali e mori edhe ministri i ri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ndërsa Admirim Haliti i dorëzoi funksionin Azir Aliut në cilësinë e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Detyrën nga Naser Nuredini e mori edhe Kaja Shukova si ministre e Ekologjisë. Anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar morën pjesë në mbledhjen e parë të Qeverisë.

Kuvendi pak minuta para mesnate votoi rikonstruimin e Qeverisë. Ndonëse për një votë më tepër, BDI, LSDM dhe Aleanca për Shqiptarët trumbetuan se shumica parlamentare u zgjerua nga 64 sa ishte në 65 deputetë. Nga radhët e grupit parlamentar të BDI-së, në votim nuk morën pjesë Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku, ndërsa në sallë nuk ishte as Kastriot Rexhepi. Shumica prej 65 deputetëve u arrit me mbështetjen edhe të Skender Rexhepit dhe Menduh Thaçit të cilat votuan për ministrat e Aleancës për Shqiptarët. Debati në Kuvend për shkarkimin e ministrave të Alternativës dhe zgjedhjen e ministrave të Aleancës zgjati dy javë. Kjo për shkak të bllokadës që bëri opozita me fjalime, replika dhe kundër replika. Një bllokadë të njëjtë opozita ka paralajmëruar edhe kundër vendimeve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski për shkarkimin e zëvendësministrave. Aleanca për Shqiptarët bëhet pjesë e Qeverisë në vitin e fundit të mandatit të kësaj shumice parlamentare e cila doli nga zgjedhjet e 15 korrikut të vitit 2020. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button