Marrota: Në Europë janë ndërtuar 250 stadiume të reja, vetëm 5 në Itali
Xhiusepe Marotta, president i Interit, foli për “DAZN” mbi stadiumin e ri të Milanos, që po ndërtohet në bashkëpunim me Milanin.
“Vendosëm ta bëjmë me Milanin sepse kemi një histori të përbashkët. Në ‘San Siro’ kanë luajtur për dekada të dyja klubet. Milano është Milan dhe Inter. Stadiumi i ri duhet të respektojë standardet e modernitetit, sigurisë dhe mikpritjes. Duhet të jetë aktiv 24/7. ‘San Siro’ nuk i plotëson më këto kërkesa për shkak të moshës. Mesatarja e stadiumeve në Itali është rreth 60 vite. Duhet një impiant i ri, duke ruajtur vlerat dhe emocionet. ‘San Siro’ është ikonë”.
Mbi situatën e stadiumeve në Itali
“Në 20 vitet e fundit në Europë janë ndërtuar 250 stadiume të reja, vetëm 5 në Itali. Jemi të fundit në këtë drejtim. Problemi është burokracia shumë e ngurtë, jo mungesa e kapitalit”.
Për “Euro 2032”
“Shpresojmë ta kemi stadiumin gati më 2030. Milano duhet të jetë pjesë. Investimet e ‘Oaktree’ dhe ‘RedBird’ janë në këtë linjë”.









