Mashtrime në emër të DAP-it dhe MPB-së: Mos i hapni mesazhet me logon e DAP-it

Mashtrime në emër të DAP-it dhe MPB-së: Mos i hapni mesazhet me logon e DAP-it

Gazetar: Ile Petrevski

Qytetarët të mos i hapin mesazhet në telefonat e tyre me logon e DAP, sepse është mashtrim dhe ka për qëllim keqpërdorimin e të dhënave të atyre që kanë marrë mesazhin. Nga DAP njoftojnë se gjatë ditës së djeshme dhe sot, një dërgues i panjohur me logon e DAP ka tentuar të nxisë qytetarët të ndajnë të dhënat personale dhe të kartelave të tyre bankare përmes porosive SMS. DAP apelon qytetarët që, nëse marrin porosi të tilla, të mos e hapin dhe mos e plotësojnë formularin që u ofrohet.

“Porositë dërgohen nga ky numër telefoni (+38979212628 ) me përmbajtjen e mëposhtme, Plotësoni deklaratën e detyrueshme të DAP https://ujp.mk/verifikacija.” Ky link është i rremë dhe nuk çon në adresën elektronike të DAP-it”, njoftojnë nga DAP.

Nga DAP thonë se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’u përballuar me situatën. Por sot cak i sulmeve të hakerëve nuk është vetëm DAP, të dhënat personale të qytetarëve kërkohen edhe përmes e-maileve që supozohet se vijnë nga MPB. Por, edhe ky institucion shtetëror apelon për vëmendje të veçantë, që të mos hapen porositë, e aq më pak të kontaktohet dërguesi përmes linkut të dhënë dhe të shpërndajnë të dhënat personale që kërkohen.

“Këto porosi elektronike janë një përpjekje klasike për mashtrim në të cilën qëllimi i mashtruesve është të marrin të dhënat personale të dërguesit për abuzim të mëtejshëm”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Për shkak të sulmeve nga hakerët, javën e kaluar nuk funksionoi sistemi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Fondi bëri të ditur se pushimet mjekësore nuk paguhen dhe se nuk mund të hapen pushime të reja mjekësore dhe pushime të lindjes. Maqedonia për një kohë të gjatë është cak i sulmeve të hakerëve dhe raportimeve për bomba të vendosura në shkolla, qendra tregtare dhe vende të ngjashme ku ka frekuencë më të madhe të qytetarëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button