Mazhoranca dhe opozita përplasen për ndryshimet në Ligjin për Pyjet
Mazhoranca dhe opozita përplasen për ndryshimet në Ligjin për Pyjet

Gazetare: Ajnur Bafqari
Propozimi ligji për pyjet, përplasi pushtetin dhe opozitën. Pushteti arsyeton se ndryshimet bëhen me qëllim të lehtësimit të dinamikës së realizimeve të projekteve kapitale. Respektivisht, investitorëve të ndërtimeve infrastrukturore të karakterit publik, do t’u mundësohet që prerjen dhe shpërndarjen e masës drurore gjatë punimeve, të mund ta bëjnë vetë, pasi ta kenë njoftuar ndërmarrjen publike Pyjet Shtetërore. Këtë “E Majta” e cilëson si ekspozim të pyjeve në rrezik.
“Çfarë bëhet me këto ndryshime, hiqen mekanizmat kontrolluese për mbrojtjen e pyjeve, me qëllim që sa më lehtë të priten pyjet…, tani lejohet që këtë ta bëjë investitori, pa licencë, pa pajtim, vetëm duhet të japë një njoftim të thjeshtë”, deklaroi Sasho Jançev, E Majta.
Por deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski, tha se këto akuza janë të pabaza. Sipas tij para fillimit të cilit do ndërtim të kësaj natyre, projektet u nënshtrohen një sërë kontrollesh paraprake. Ai nënvizoi se ky ligj aspak nuk e rrezikon mjedisin jetësor.
“Mendoj se ishte e qartë se për çfarë diskutuam dhe për çfarë janë këto ndryshime, e para e mendoni se unë do të vendosja nënshkrim në ligj që do ta rrezikonte mjedisin jetësor, personalisht unë…Shqetësimet i keni të pabaza dhe të panevojshme, … sepse paraprakisht ka një sërë procedurash, ka ekzaminime, hulumtime, definim të traseve, dhe kështu me radhë”, tha Toni Jarevski, VMRO-DPMNE.
Komisioni amë për bujqësi, pylltari dhe menaxhimin e ujërave e dërgoi këtë ligj për procedurë të mëtejshme në Kuvend. /Alsat.mk