Mbi 100 mijë lëndë gjyqësore të pazgjidhura

Mbi 100 mijë lëndë gjyqësore të pazgjidhura

Gazetar: Ardit Ramadani

Më shumë se 100 mijë lëndë gjyqësore janë të pazgjidhura, gjë që mban peng qytetarët të cilët presin epilog nga gjykatat, shkruan Alsat.

Gjyqësori ndërkohë ankohet se kanë gjithsej 410 gjykatës ndërkaq për të qenë puna e tyre sa më efikase, ju nevojiten gjithsej 630.

Zëdhënësi i Këshillit Gjyqësor Lubisha Arsiq theksoi se shpërndarja aktuale e gjykatësve nuk përputhet me nevojat për shkak se procesi është bërë para regjistrimit të popullsisë.

“Sipas sistematizimit neve na nevojiten rreth 630 gjykatës dhe për këtë themi që na mungojnë gjykatës. Deri te numri 630 kemi ardhur pasi kemi kryer analiza në të gjitha gjykatat e vendit, para së gjithash duke marrë parasysh numrin e lëndëve që kanë gjykatësit për t’i kryer gjatë vitit”, tha Lubisha Arsiq, zëdhënës i Këshillit Gjyqësor për MKD.mk.

Përveç numrit të gjyqtarëve, rezultatet e regjistrimit të popullsisë vendosën në pikëpyetje edhe ekzistimin e disa gjykatave në vend. Sipas standardeve të BE-së, në komunat me më pak se 20 mijë banorë, gjykatat nuk janë të nevojshme. Sipas kësaj, vendi nuk ka nevojë të ketë gjykata themelore në Krushevë, Resnjë, Berovë, Vinicë dhe Kratovë.

“Është e nevojshme që ndarja territoriale e gjykatave të pasqyrojë më mirë gjendjen e popullsisë, si dhe përdorim të plotë të zhvillimeve dhe teknologjive moderne. Në këtë drejtim, nga këndvështrimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, është i nevojshëm edhe ndryshimi i strukturave të brendshme organizative të gjykatave”, u shpreh Strategjia e Burimeve Njerëzore dhe Resurseve Njerëzore në Rrjetin Gjyqësor.

Për shkak të numrit të lartë të lëndëve të pazgjidhura, kohë më parë kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlinka Cërvenkovska ndërmori masa duke vendosur koordinator në secilën prej 34 gjykatave që do të raportonte për punën e gjykatësve. Por kjo mesa duket rezultoi pa efekt. Sipas raportit të Komisionit Evropian, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka arritur një nivel të përgatitjes, megjithatë, në vitin e ardhshëm vendi duhet të:

“Përfundojë zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të përditësuar aksional. Të përshpejtojë zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin e gjyqësorit dhe prokurorisë publike si dhe të vendosen të gjitha burimet e nevojshme për të siguruar që sistemi i automatizuar i informacionit për menaxhimin e lëndëve gjyqësore të jetë plotësisht funksional”, thuhet në Raporti Komisionit Evropian – pamje- fq 17 pjesa e hijezuar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button