Mbi 20 pacientë pritet të lirohen nga spitali në Kroaci

Mbi 20 pacientë, të lënduar nga aksidenti me autobus në Kroaci, janë të gatshëm të lëshohen të hënën nga spitali. Ndërsa, njëri nga pacientët është në gjendje kritike.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod, Josip Samarxhiq tha se “dy pacientë me rrezik për jetën janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër dhe i nënshtrohet metodave të kujdesit intensiv”.

“Në orët e paradites, shtatë operacione u kryen te të lënduarit e aksidentit të djeshëm të trafikut, ndërsa gjatë ditës, 20-25 pacientë do të lirohen për trajtim në shtëpi “, tha Samarxhiq.

Të dielën, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Në pansionin, që ka pranuar udhëtarët që nuk kanë qenë të lënduar nga aksidenti, janë 15 persona.

Autoritetet kroate thanë të hënën se identiteti i tetë viktimave nga aksidenti me autobus në Kroaci tashmë është konfirmuar kurse për dy të tjerë po vazhdon procesi i identifikimit, sipas policisë në Kroaci.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se në organizim e sipër është udhëtimi për në Kosovë i të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë.

“Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm, do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, tha po ashtu Gërvalla.

Sveçla: Për shoferin do të respektojmë ligjet e shtetit kroat

Shoferi i arrestuar, 52 vjeçar, shtetas i Kosovës, është dërguar në paraburgim, sipas policisë në Kroaci.

Ai dyshohet për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku.

“Dënimi për një vepër të tillë është deri në 15 vjet burg”, tha Nikola Milina, drejtor i përgjithshëm i policisë në Kroaci.

I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të transferohej në Kosovë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, të hënën nga Kroacia deklaroi se po presin të gjejnë një zgjidhje.

“Ne jemi këtu për të respektuar ligjet e Republikës së Kroacisë, aksidenti ka ndodhur këtu, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje”, ai shtoi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.

“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.

Gërvalla, së bashku me kryeministrin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës udhëtuan të dielën drejt Kroacisë.

Disa prej tyre u kthyen tashmë në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

Ata janë atje “për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i trishtuar” dhe “i pikëlluar” nga ngjarja, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjithashtu shprehu ngushëllime dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë publikoi numrin e telefonit: +383 (0) 38 200 76 000, si kontakt për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve në Kroaci.

Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.

LEXO EDHE:

Back to top button