Mbi 23 mijë anëtarë votojnë nesër për kryetar të LSDM-së

Mbi 23 mijë anëtarë votojnë nesër për kryetar të LSDM-së

Gazetare: Fatlume Dervishi

Mbi 23 mijë anëtarë të LSDM-së kanë të drejtën të votojnë nesër mes katër kandidatëve për kryetar të ardhshëm të partisë. Në garë ishin paraqitur katër kandidatë; ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Slavjanka Petrovska, drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski dhe zëvendësministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Aleksandar Bajdevski.

Kandidatja Sllavjanka Petrovska, pas pakënaqësive të shprehura rreth procesit, ka njoftuar edhe zyrtarisht me shkrim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda partisë se tërhiqet nga gara dhe kërkon që emri i saj të mos qëndrojë në fletëvotim. Petrovska e kishte quajtur procesin jolegjitim, duke hedhur dyshime për manipulime me listën e votuesve dhe keqpërdorime me të dhënat e anëtarëve.

“Duke dashur ta mbroj LSDM-në nga zgjedhja jolegjitime e kryetarit dhe të shmang bashkëpjesëmarrjen në këtë shkelje të statutit u njoftoj se e tërheq kandidaturën time për kryetar të LSDM-së… dje në takimin e mbajtur në ambientet e LSDM-së me përfaqësues të KQZ-së, informova për vërejtje serioze lidhur me saktësinë dhe legjitimitetin e Listës zgjedhore, keqpërdorimin e të dhënave personale të mijëra anëtarëve të LSDM-së, që vazhdoi edhe sot, por fatkeqësisht nuk kam marrë një përgjigje që i hedh poshtë të gjitha këto pretendime”, tha Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Të tre kandidatët tjerë në garë tashmë kanë dorëzuar listën e propozim-kontrollorëve, gjë që konfirmon se mbeten në garë.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor i partisë, një ditë më parë, thanë se procesi ka qenë legjitim.

“Procesi është legjitim, demokratik dhe është zbatuar në rendin më të mirë dhe votimi të dielën nga ora 8 deri në ora 20 do të zbatohet në organizatat komunale”, theksoi Viktorija Avramovska Madiq, KQZ, LSDM.

Megjithatë përplasjet mes tyre kishin filluar më herët. Kandidati tjetër Despotovski kishte akuzuar se ish-lideri i LSDM-së Zoran Zaev ushtronte ndikimin e tij për zgjedhjen e Venko Filipçes, të cilin e ka edhe mik të ngushtë. Filipçe u përgjigj se përpjekja për diskreditimin e tij vetëm e dobëson LSDM-në.

Votimi do të bëhet në organizatat komunale të LSDM-së. Për të zgjedhur kreun e partisë, njëri prej kandidatëve duhet të marrë 50% plus 1 votë. Ndryshe, do të ketë një raund të dytë mes dy kandidatëve me më shumë vota. Kryetari i ri do të ketë mandat vetëm deri në mars, sepse LSDM-ja nuk arriti të sigurojë kuorum për mbajtjen e kongresit për ndryshimin e statutit, që do t’i siguronte një mandat të plotë kryetarit të ardhshëm/Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button