Mbi 238 mijë evropianë vdiqën në vitin 2020 si pasojë e ndotjes së ajrit

Të paktën 238,000 njerëz në BE vdiqën para kohe në vitin 2020 për shkak të ndotjes së ajrit, pavarësisht nga përmirësimi i cilësisë së ajrit në përgjithësi, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Analistët e agjencisë theksojnë se ndotja e ajrit është “rreziku më i madh për shëndetin në Evropë dhe se ndikon ndjeshëm në shëndetin e evropianëve, veçanërisht në qytete”, edhe pse ndotësit më të mëdhenj kanë ulur emetimet e tyre.

Sipas EEA, të paktën 238,000 njerëz vdiqën para kohe në vitin 2020 për shkak të ekspozimit ndaj PM2.5, me 96 përqind të popullsisë urbane të ekspozuar ndaj niveleve mbi rekomandimet e OBSH-së.

Në të njëjtën kohë, dioksidi i azotit është shkaku i 49 mijë vdekjeve të parakohshme, ndërsa ekspozimi ndaj ozonit mori 24 mijë jetë, thotë EEA.

Megjithatë, numri i vdekjeve të parakohshme për shkak të ekspozimit ndaj PM2.5 ra me 45 përqind midis 2005 dhe 2020.

. “Nëse trendi vazhdon, BE-ja pritet të përmbushë objektivin e saj për të reduktuar vdekjet e parakohshme me 55 për qind deri në vitin 2030”, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas EEA, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmbushur objektivin e ndotjes zero deri në vitin 2050, ose uljen e ndotjes së ajrit në nivele që nuk janë të dëmshme për shëndetin.

LEXO EDHE:

Back to top button