Mbi 600 raste aktive me koronavirus, 32 raste të reja vetëm në Tetovë

Gjatë 24 orëve të fundit vendi ka regjistruar 54 raste të reja pozitive me Kovid-19 nga gjithsej 3.087 testime të bëra. Qyteti i Tetovës kryeson për nga numri i të infektuarve. Nga 54 rastet pozitive 32 janë nga Tetova, ndërsa edhe viktima e vetme e të dhënave të fundit është nga Tetova. Në gjithë vendin numri i rasteve aktive me Kovid është 613.

Nga fillimi i pandemisë e deri më tash numri i të diagnostikuarve me Kovid19 është 156.506 ndërsa i të shëruarve 150.399. Nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 5.494 të vdekur. Deri më tash në vend janë bërë 985.556 testime”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve pozitive, autoritetet konsiderojnë se nuk duhet të vendosen masa të reja shtrënguese. Restrikcionet eventuale do të kishin vlejte vetëm për personat të cilët nuk janë të vaksinuar.

Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për vaksinim sa më masiv të popullatës si mbrojtje e vetme nga infektimi dhe nga pasojat e rënda shëndetësore që sjell Kovid19. Deri më tash janë vaksinuar mbi 515.000 qytetarë. Mbi 390.000 qytetarë kanë pranuar të dy dozat e vaksinës.

Aktualisht në vend pos vaksinimit nëpër Shtëpitë e Shëndetit, procesi i imunizimit kryhet dhe në terren si dhe nëpër shtëpitë e personave të pa lëvizshëm apo të atyre të cilët për shkaqe shëndetësore nuk mund të shkojnë deri te qendra për vaksinim. Në dispozicion të qytetarëve janë vaksina Pfizer, Sinovak dhe Astra&Zeneca.

 

Vjollca Aliti

LEXO EDHE:

Back to top button