Mbi 700 mijë njerëz kanë ikur nga shtëpitë pas konfliktit në Sudan

Mbi 700 mijë njerëz kanë ikur nga shtëpitë pas konfliktit në Sudan

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se mbi 700 mijë njerëz janë zhvendosur nga Sudani si pasojë e luftimeve mes fraksioneve ushtarake rivale.

Rritja e numrit të të zhvendosurve ka shtuar shqetësimet për përshkallëzim të dhunës, pavarësisht bisedimeve për armëpushim, që janë duke u mbajtur në Arabinë Saudite, shkruan Euronews.

Sulmet ajrore dhe betejat tokësore, janë duke vazhduar në kryeqytetin e Sudanit, Kartum.

Të gjitha lagjet pothuajse janë zbrazur në kryeqytet, pasi banorët kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Kartumi e ka pasur një popullsi prej 5.4 milionë banorëve, mirëpo qyteti është dëmtuar rëndë, prej luftimeve që kanë nisur më 15 prill, mes ushtrisë dhe grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Më shumë se 600 persona besohet se janë vrarë dhe mbi 5.000 janë plagosur.

Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 100.000 persona kanë ikur në vendet fqinje, dhe numri mund të shkojë në mbi 800.000, nëse nuk ndalen luftimet.

Komandanti i ushtrisë së Sudanit, gjenerali, Abdel Fattah al-Burhan, presidenti de facto i Sudanit, është në luftë për pushtet me liderin e RSF-së, gjeneralin, Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti.

Deri më tani, gjenerali Burhan dhe Hemedti, i cili e ka udhëhequr një milici arabe në konfliktin në Darfur, kanë treguar pak gatishmëri për të arritur marrëveshje për paqe.

LEXO EDHE:

Back to top button