Mbi 900 të vdekur nga shirat e musonit dhe përmbytjet në Pakistan

Mbi 900 të vdekur nga shirat e musonit dhe përmbytjet në Pakistan

Të paktën 903 njerëz kanë vdekur në Pakistan nga reshjet e forta dhe përmbytjet këtë verë, teksa vendi po sheh ciklin e tetë të shirave të musonit, tha Ministrja e Pakistanit për Ndryshimet Klimatike të mërkurën ndërsa vendi bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Mijëra nuk kanë strehim dhe ushqim për shkak të kësaj “katastrofe humanitare”, tha Sherry Rehman.
“Ndërsa flasim, mijëra janë të pastrehë dhe pa ushqim. Dhe linjat e komunikimit janë ndërprerë. Është një fatkeqësi e rëndë humanitare.”

Ajo gjithashtu postoi në Twitter se në mesin e të vdekurve janë 326 fëmijë. Qeveria po përdor të gjitha burimet në dispozicion për të ndihmuar viktimat, tha ajo.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) nga mesi i qershorit, shirat e dendur të musonit dhe përmbytjet kanë prekur 2.3 milionë njerëz në Pakistan.

Të paktën 95,350 shtëpi janë shkatërruar, sipas agjencisë humanitare. Provinca juglindore e Sindh dhe provinca jugperëndimore e Balochistan janë dy provincat më të prekura për sa i përket ndikimit njerëzor dhe infrastrukturor, shkroi OCHA në një deklaratë për shtyp të martën.

Më shumë se 504,000 bagëti kanë ngordhur, pothuajse të gjitha në Balochistan, ndërsa rreth 3,000 kilometra (1,864 milje) rrugë dhe 129 ura janë dëmtuar, duke bllokuar hyrjen në zonat e prekura nga përmbytjet, shkruan OCHA.

Të mërkurën, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) tha se nevojiteshin më shumë fonde ndërkombëtare për lehtësimin e përmbytjeve, rehabilitimin dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar./Oranews

LEXO EDHE:

Back to top button