Mbikëqyrja e autostradave, prokuroria s’përjashton veprimin

Mbikëqyrja e autostradave, prokuroria s'përjashton veprimin

Gazetar: Ile Petrevski

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i përcjell me kujdes të gjitha informatat dhe deklaratat që kanë të bëjnë me kompaninë “Behtel & Enka” dhe kompanitë që duhet ta mbikëqyrin atë në ndërtimin e autostradave në Maqedoni. Nëse konstatojnë se ka diçka të paligjshme, do të veprojnë menjëherë, thonë për TV Alsat nga prokuroria e cila drejtohet nga Islam Abazi.

“Nëse konstatohen elemente të veprës penale, do të niset procedurë përkatëse. Njëkohësisht, të gjitha subjektet që kanë të dhëna ose prova për vepër penale, kanë për obligim ta denoncojnë atë në prokurorinë përkatëse. Deri në këtë moment nuk është dorëzuar në prokurori asnjë kallëzim penal me pretendime të tilla”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kreu i Prokurorisë Publike të Shkupit, Gavrill Bubevski, në emisionin “360 Gradë” në Alsat, konfirmoi se Prokuroria shtetërore mund të veprojë edhe në bazë të “informacionit të marrë” përkatësisht nuk ka nevojë që dikush të dorëzojë denoncim.

“Instrumentin e informacionit të marrë, Prokuroria Publike- Shkup e përdor në situatë ku shohim se institucionet e zbulimit të veprës penale paraprakisht kanë dështuar në këtë drejtim. Dhe vetëm në atë rast, Prokuroria fillon të veprojë sipas informacionit të marrë. Nëse institucionet e tjera që kanë funksion zbulues punojnë me rastin dhe arrijnë në njohuri të caktuara për rastin, përgatisin kallëzim penal, dhe ne veprojmë sipas këtij kallëzimi penal”, tha Gavrill Bubevski- PTHP Shkup.

Për shkak të rrezikimit të interesit kombëtar, buxhetit dhe reputacionit të shtetit, VMRO-DPMNE apelon që menjëherë të anulohet tenderi për të cilin është përzgjedhur mbikëqyrja. Opozitarët thonë se ky skandal në Maqedoni vjen pasi ish-sekretari amerikan i shtetit paralajmëroi për ryshfet nga kinezët në projektet ku aplikohen teknologji të larta.

“Tani “Eurocolsalting” i Dimitrijeviqit, i cili ndiqet penalisht në Armeni për mashtrim prej 1.8 milionë dollarëve gjatë mbikëqyrjes së një korridori rrugor, do të mbikëqyrë ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d, projekt me vlerë 1.3 miliardë euro. Kjo kompani, së bashku me kompaninë kineze EPTISA, do të kenë qasje të teknologjisë së Behtel-it amerikan”, u shpreh Bojan Stojanoski- VMRO-DPMNE.

Kompanisë së Dimitrijeviqit, “Euroconsulting” dhe kompanisë spanjolle EPTISA, pronar i së cilës është kompania kineze JSTI Grup, pushteti iu dha biznes mbi 20 milionë euro përmes një tenderi për të kontrolluar se si do t’i ndërtojë autostradat konsorciumi amerikano-turk./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button