Më 5 maj nuk do të luhet futboll në Francë

Parlamenti francez miratoi përfundimisht, me një votim të Senatit, një projekt -ligj që parashikon që asnjë ndeshje profesionale e futbollit nuk do të luhet në Francë më 5 maj, në nderim të viktimave të katastrofës në stadiumin Furiani në Korsikë, ku vdiqën 19 persona (më 5 maj 1992).

Senati miratoi pa asnjë ndryshim tekstin e projekt-ligjit të sjellë aty nga deputeti korsikan Mishel Kastellani, i cili më herët kishte marrë edhe miratimin e vendimit nga Asambleja Kombëtare.

“Tragjedia Furiani” është një ngjarje mjaft e rëndë në futboll, e ndodhur pikërisht më 5 maj të vitit 1992 në Furiani, një lokalitet pranë Bastias në Korsikë. Në stadiumin “Armand Cesari” duhej të luhej gjysmëfinalja e Kupës së Francës mes Bastias dhe Marseille, ndërsa klubi vendas kërkoi rritjen me 50% të kapacitetit të stadiumit, pasi po përballej me skuadrën më të fortë të kohës në Francë.

Autoritetet lokale miratuan këtë dëshirë, duke ndërtuar një tribunë provizore me kapacitet prej 10 mijë vendesh, e cila u shemb para ndeshjes, duke shkaktuar vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e mbi 2 mijë të tjerëve. /Supersport/

LEXO EDHE:

Back to top button