Me dekada pritje për kufirin Llojan-Miratoc

Me dekada pritje për kufirin Llojan-Miratoc

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministrat e brendshëm të Maqedonisë dhe Serbisë, Oliver Spasovski dhe Bratisllav Gashiq në Begograd firmosën protokollin për mënyrën e kryerjes se kontrolleve kufitare ne pikën e përbashkët Llojan – Miratoc. Ky vendkalim me dekada premtohet por akoma nuk është bërë realitet. Tani ku përflitet hapja e kufirit në fjalë, në fshatin Llojan kanë mbetur shumë pak njerëz të cilët mund ta hedhin hapin nga njëri në shtetin tjetër. Banorët e fshatit  Llojan thanë për Alsat se nga rreth 700 shtëpi sa numëron ky fshat, thuajse gjysma janë të boshatisura.

“Ka qenë i rëndësishëm para 20 viteve edhe kurrë nuk u hap, muhabete të kota. Prej në atë moment që është mbyll kufiri njerëzit nuk kanë dal në atë pjesë, as me martesa. Ne gjithmonë kemi pas lidhje me Serbi, me Preshevë por tashmë jemi nda”, tha një banor.

“Po ikin rinia jashtë, këtu pa punë. Ku po shkojnë më shumë? Në Austri, në Gjermani, në perëndim. Papunësia, shqiptarët e vuajtur, Llojani është zonë kufitare, s’kanë nga dalin”, u shpreh një banor.

“Si shpendi me një krah, më shkurt. Ashtu është duke u nis, në atë drejtim është duke shkuar, ndoshta dikur do të hapet kur s’ka njerëz, atëherë është e kot, njerëzit kanë filluar me të madhe me ik”, deklaroi një banor.

Në mesin e banorëve takuam edhe zonjën Flamure Jahiu nga Presheva e cila para 27 viteve ishte martuar në Llojan. Ajo kujton se aso kohe kishte një vendkalim administrative por që pas një kohe edhe ai u mbyll.

“Me udhëtua është shumë larg, po ndodhë rast vdekje nuk po e mbërrijmë. Kemi dëshirë me qenë mirë e afër. Derisa i marrin votat kemi premtime ama premtimet u humbën më. Secili për një vend pune, e zë një karrige dhe për neve asgjë nuk ka. Të rinjtë ikën të gjithë, nuk ka, papunësia. Djali fakultetin për mjekësi e ka por pa punë”, – Flamure Jahiu, banore.

Premtimet e zyrtareve shqiptar për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc ka nisur që  pas përfundimit të konfliktit në vitin 2001 kur BDI u bë pjesë e qeverisë. Zyrtarët e kësaj partie në çdo fushatë zgjedhore me banorët e Likovës, dhe jo vetëm kanë marrë mandate të deputetit me premtimin për hapjen e shpejt të këtij kufiri. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button