Më shumë se 1000 persona të vdekur nga tërmeti shkatërrues në Mianmar
Më shumë se 1000 persona të vdekur nga tërmeti shkatërrues në Mianmar

Gazetare: Xhesika Sallahi
Mbi 1000 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm 7.7 ballësh në Mianmar. Të paktën dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, teksa më shumë se 2000 të tjerë janë lënduar. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Qeveria e udhëhequr nga ushtria e vendit dha njoftimin, duke shtuar se numrat mund të rriten ende. Qindra ndihma humanitare dhe ekipe shpëtimi, përfshirë staf mjekësor, ekspertë tërmetesh dhe zjarrfikës u dërguan nga shtetet e tjera përfshirë Rusinë, Kinën, Indinë. Ndihmat humanitare përfshijnë ushqime, komplete higjienike, gjeneratorë, ilaçe, batanije e shumë të tjera. Tërmeti rrëzoi ndërtesa, spitale, tempuj, ura, si dhe shkatërroi rrugë të shumta dhe la pjesën më të madhe të zonave pa energji elektrike, telefon dhe internet. Me një thellësi prej 10 kilometrash, ky ishte një nga tërmetet më të forta të regjistruara kohët e fundit në këtë rajon. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë edhe në vendet fqinje si Tajlanda dhe Bangladeshi. Po ashtu, u regjistruan pasgoditje të fuqishme. Qytetarët janë këshilluar të ndjekin udhëzimet e sigurisë për të shmangur rreziqet e mëtejshme. /Alsat.mk