fbpx

Me urdhër të Serbisë, nis mësimi online për nxënësit e shkollave në veri


Shkollat në katër komunat veriore të Kosovës kanë filluar sot mësimin, por vetëm nga distanca (online).

Një vendim i tillë është marr nga Ministria e Arsimit të Serbisë, për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë.

Ekipi i KosovaPress-it ka vizituar sot paradite disa shkolla të asaj pjese, por askush nga përgjegjësit nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje.

“Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Serbisë, kishte paralajmëruar se në veri nxënësit do të fillojnë mësimin sot, por një vendim i tillë është ndryshuar momentet e fundit nga e njëjta ministri. Kjo me gjasë për shkak të pandemisë, ndërsa vështirë të thuhet se kur do të kthehen nxënësit nëpër bankat e tyre”, ka thënë një punëtore e shkollës “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës..

Sipas saj, deri atëherë nxënësit do t’i vijojnë mësimet online, për të cilat tha se kanë filluar që sot, në mënyrë që nxënësit të mos humbin asgjë.

Ajo pranoi se nuk është e informuar fare për vendimet e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave mësimi shtyhet deri më 14 shtator.

“Jo, nuk jam e informuar dhe as që më interesojnë udhëzimet e Prishtinës. Ne kemi shtetin tonë dhe aplikojmë vendimet që merr Serbia”, tha ajo.

Ndryshe, MASHT-i para disa ditësh ka njoftuar se fillimi i vitit të ri shkollor 2020/2021 në Kosovë, është shtyrë për 14 shtator.

LEXO EDHE:

Back to top button