Meklareni “selam” Red Bullit: “Lufta” do të vazhdojë deri në Abu Dabi
Diferenca në rezultate e shprehur nga Maks Verstapeni dhe Serhio Perez në “Red Bull” do të thotë se dy renditjet e kampionatit botëror, për pilotë dhe konstruktorë, i japin këndvështrime shumë të ndryshme pushimeve verore.
Nëse në kampionatin e pilotëve rikthimi i Lando Norris kundër Verstapenit duket i ndërlikuar, por jo i pamundur (78 pikë diferencë), në klasifikimin e konstruktorëve skenarët janë shumë të ndryshëm. “Red Bull” ka vetëm 42 pikë avantazh karshi MekLarenit dhe është një diferencë që mund të korrigjohet edhe në një garë.
Skuadra e “MekLarenit” ka dy pilotë që shkojnë në pikë së fundi, ndërsa “Red Bull” paguan për paraqitjen herë pas here të papranueshme të Perezit. Dhe, duke marrë parasysh konfirmimin surprizë të meksikanit, “MekLaren” e sheh kampionatin e konstruktorëve si një mundësi të shkëlqyer për t’iu rikthyer fitimit të një titulli.
Sipas shefit të MekLarenit, Zak Braun, lufta me “Red Bull” do të vazhdojë deri në Abu Dhabi.
“Do të jetë e vështirë. Besoj se titulli do të vijë në garën e fundit. Nuk ka shumë diferenca mes dy makinave. Do të jetë një çështje për të parë se si sillet Perez: nëse ai arrin të sigurojë paraqitjet që është në gjendje të japë, do të jetë një luftë e vështirë. Nëse ai vazhdon të sillet siç ka bërë këtë vit, do të kemi një shans të mirë, sepse kemi dy pilotë që janë vazhdimisht përpara”, tha Braun.