Meksikë, nuk ka më “fast food” në shkolla
Meksikë, nuk ka më “fast food” në shkolla

Drejtorëve të shkollave në Meksikë u është dhënë një afat prej gjashtë muajsh nga qeveria për të hequr gradualisht produktet “fast food” në shkolla ose do të përballen me gjoba. Drejtorët e shkollave ku mbeten këto produkte do të marrin gjoba nga 550 deri në 5500 dollarë dhe dy herë më shumë për shkelje të përsëritura, që për disa prej tyre është pothuajse e gjithë paga vjetore. Autoritetet meksikane thonë se problemi i obezitetit të fëmijëve në vendin e tyre është më i keqi në botë, një e treta e fëmijëve janë mbipeshë ose obezë. Presidentja tha se shkollat do të duhet të sigurojnë që fëmijët të pinë ujë në vend të pijeve me sheqer dhe të kenë ushqime më të shëndetshme. Megjithatë, shumica dërrmuese e 255 mijë shkollave të Meksikës nuk kanë ujë të pijshëm falas për nxënësit. Sipas raportit të vitit 2020, janë 10.900 shkolla me çezma me ujë të përdorshëm, që është vetëm katër për qind e numrit të përgjithshëm. Shumë shkolla janë në zona aq të varfra ose aq të largëta sa nuk kanë as tualete dhe energji elektrike të duhur. /Alsat.mk