Irani shqyrtoi sulme ndaj bazave amerikane në Evropë

Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmit ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore nëse Presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin, raporton Financial Times, duke cituar dy persona të afërt me regjimin e Teheranit

Sipas burimeve të gazetës, forcat iraniane kanë shqyrtuar sulme të mundshme ndaj aseteve amerikane në vende si Bullgaria, e cila muajin e kaluar autorizoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për të furnizuar me karburant avionët ushtarakë amerikanë.

Qiproja thuhet se u konsiderua gjithashtu, pasi një bazë britanike në ishull u godit nga një dron në mars. Burimet i thanë gjithashtu Financial Times se Teherani ka shqyrtuar veçmas mundësinë e sulmit ndaj kabllove nënujore me fibra optike në Ngushticën e Hormuzit në rast të një përshkallëzimi të ri.

Sipas gazetës, thuhet se udhëheqësit iranianë po shqyrtojnë zgjerimin e fushëveprimit të hakmarrjes së mundshme përtej objektivave ushtarake, të energjisë dhe të infrastrukturës amerikane në Lindjen e Mesme. Garda Revolucionare dhe komandantë të tjerë ushtarakë thuhet se kanë paralajmëruar se një konflikt i ri në shkallë të gjerë mund të përfshijë objektiva më të largëta.

NATO thotë se është gati të përballet me çdo kërcënim dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur aleatët e saj, pas raportimeve se Irani ka konsideruar të godasë objektivat ushtarake amerikane në Evropë nëse Donald Trump përshkallëzon luftën.

I pyetur nga Reuters në lidhje me raportin, një zyrtar i NATO-s siguroi se aleanca ka një aftësi të fortë mbrojtëse dhe parandaluese. Zyrtari përmendi operacionet e mbrojtjes ajrore të NATO-s më herët në vitin 2026 si shembull, kur, tha ai, raketat balistike të drejtuara drejt Turqisë u interceptuan vazhdimisht. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button