Pas takimit Kurti-Abdixhiku, heshtje për presidentin e ri
Një ditë pas takimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit, heshtje në të dyja taborët. Dy liderët dje shprehën gatishmëri për stabilitet institucional. LDK-ja ka hequr dorë nga mundësia e drejtimit të Kuvendit apo nga pjesëmarrja në Qeveri. Ky subjekt ka vendosur të qëndrojë në opozitë, por ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja, përshirë edhe zgjedhjen e presidentit/tes. Ndërkohë PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takim. Këto dy subjekte insistojnë vetëm në konsituimin e Kuvendit, ndërsa nuk deklarohen nëse do të votojnë për presidentin e ri. LVV-ja në zgjedhjet e qershorit fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Partia fituese bashkë me votat e komuniteteve joshumicë ka mundësi ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë. Por, për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit vendi shkon në zgjedhje të reja.
“Besoj që mirëbesimi që kemi në njërën anë dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, duket se na bëjnë optimistë. Tash e keni parasysh që Republika e Kosovës funksionon me presidentin në detyrë, me qeverinë në detyrë, por natyrisht edhe me deputetët që e kanë dhënë betimin, por së shpejti do të duhet që edhe të ketë fushën e tyre përkatësisht kuvendin e Republikës. Por kjo nuk do të jetë e qëndrueshme pa një marrëveshje për president apo presidente të re dhe për këtë ne po përpiqemi maksimalisht. Nuk janë në radhë të parë interesat e ngushta, ambiciet individuale, por përkundrazi kemi vullnet për interes dhe përgjegjësi shtetërore e demokratike, pra për kreun e shtetit përkatësisht shprehjen e unitetit të popullit që mishërohet me një president apo presidente të re të Republikës,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.
“Në këtë pikë po diskutojmë, në mënyrë të tillë, për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes të ardhshme të Republikës së Kosovës. U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme. Këto me të vërtetë janë të sakta, ju lutem, ky person jo vetëm në orientimin tonë pro-perëndimor, por edhe vlerave për të cilat ne do të qëndrojmë, një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës,” tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së. /Alsat.mk








