Ethet e Nilit / 12 raste të reja për një javë
Gazetar: Suad Bajrami
Numri i pacientëve të infektuar me virusin e Etheve të Nilit Perëndimor është rritur në 38, nga të cilët 12 janë regjistruar vetëm javën e fundit. Kështu tregojnë të dhënat e publikuara në raportin javor epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Megjithatë, ky numër u referohet vetëm pacientëve te të cilët virusi ka shfaqur formë të inflamacionit të trurit apo cipave të trurit, që sipas autoriteteve kjo formë paraqitet te vetëm 1% e të prekurve. Pra, teorikisht numri i personave të prekur mund të jetë rreth 4.000, ndërsa 80% prej tyre e kalojnë pa simptoma.
Ndërkohë betejën me virusin Ethet e Nilit Perëndimor e kanë humbur 4 persona nga Shkupi, të gjithë burra të moshës prej 62 deri në 83-vjeç, të cilët kanë qenë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Ky numër përbën rreth 10% të numrit të përgjithshëm të pacientëve me formë të inflamacionit të trurit si pasojë e virusit.
“Vdekshmëria e pritur, për fat të keq, nga Ethet e Nilit Perëndimor ku kemi manifestime neurologjike është 10% dhe ne lëvizim në atë mesatare. Ajo mesatare është edhe në atë Greqi, Itali dhe nëse dikush dëshiron të krahasojmë në vitin 2019-të kemi pasur 3 raste të vdekjes nga 7 raste”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Deri tani, 37 raste janë konfirmuar në Shkup, ndërsa një në Veles. Sipas gjinisë, 28 janë burra, ndërsa 10 janë gra. Sipas moshës, 33 prej të infektuarve janë mbi 60-vjeç, 4 të moshës 50-59, ndërsa një ndër moshën 29-vjeçare. Prej 11 gushtit është shpallur epidemi e Etheve të Nilit në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.
Sipas numrit të infektuarve, Kisella Voda ka 12, pastaj Gazi Baba 8, Aerodromi 3, Ilindeni 3, Buteli 2, Petroveci, Studeniçani dhe Sopishte nga 2, ndërsa Zelenikova, Haraçina, Velesi dhe Dolleni nga 1 rast. Autoritetet bëjnë apel për kujdes nga virusi i cili më së shpeshti shpërndahet nëpërmjet pickimit nga mushkonjat./Alsat.mk.








