Tramp trondit me deklaratën për Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan Donald Tramp ka rikthyer idenë për ta shpallur Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara, në një deklaratë që vjen në një moment të tensionuar të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit. I pyetur për komentet e tij të mëparshme se ngushtica mund të bëhej territor amerikan “shumë shpejt”, Tramp e cilësoi këtë si një ide të shkëlqyer. Tramp tha se SHBA-ja ka aktualisht kontroll të plotë mbi ngushticën dhe se bllokada amerikane ka qenë efektive. Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. Përplasja mes SHBA-së dhe Iranit ka bërë që trafiku detar në këtë zonë të bjerë ndjeshëm. Deklarata e Tramp vjen gjithashtu pasi skadoi memorandumi 60-ditor i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, pa një marrëveshje përfundimtare.

“Mendoj se është një ide e shkëlqyer. Ne e kontrollojmë ngushticën përmes bllokadës. Dhe më pëlqen ideja për ta shpallur atë territor. Mund ta bëjmë këtë. Tani kemi kontroll të plotë mbi ngushticën. Ata mund të bëhen të bezdisshëm . Mund të vendosin një minë në ujë. Dhe njerëzve nuk u pëlqen të kenë mina kur kanë anije me vlerë miliarda dollarë, e kështu me radhë. Ne po nxjerrim tani miliona fuçi nafte në javë. Nëse shikoni shifrat që po arrijmë, ngushtica është e hapur dhe çmimet e naftës po bien. Irani është në telashe të mëdha. Ka 300% inflacion. Vendi është një rrëmujë dhe ushtria është mposhtur plotësisht.” – Donald Tramp, President i SHBA-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button