fbpx

Merkel bën thirrje për seriozitet ndaj Covid-19: Pandemia mund të përkeqësohet!


Kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të kenë kujdes kundër koronavirusit dhe ka paralajmëruar se pandemia mund të përkeqësohet në muajt e ardhshëm.

Sipas saj, jeta nuk do t’i kthehet normalitetit derisa të zhvillohet vaksinë për sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus.

“Kjo është çështje serioze, ndër më seriozet ndonjëherë, andaj duhet ta trajtoni seriozisht”, ka thënë Merkel më 28 gusht, ndërkohë që shumë shtete evropiane po përballen me rritje të numrit të të infektuarve në javët e fundit.

Merkel ka thënë se është duke u punuar në kontrata tjera në mes të Bashkimit Evropian dhe kompanive të ilaçeve për të siguruar vaksinën potenciale për COVID-19.

Këtë javë, Komisioni Evropian ka siguruar të paktën 300 milionë doza të vaksinës së krijuar nga kompania britanike, AstraZeneca, në rast se e njëjta miratohet për trajtim.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se koronavirusi do të mposhtet nga vaksina deri në fund të këtij viti.

“Ne do ta mposhtim virusin dhe pandeminë, e do të jemi më të fuqishëm se kurrë më parë”, ka thënë Trump, pa treguar ndonjë plan specifik.

“Ne jemi duke punuar me gjenitë shkencorë të Amerikës për të prodhuar një vaksinë në kohë rekorde”, ka thënë Trump, teksa ka pranuar nominimin e republikanëve për një mandat të dytë si president.

Prej raportimit të parë në Kinë për këtë virus, në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore në gjithë botën kanë regjistruar mbi 24.5 milionë persona të prekur nga COVID-19.

Prej tyre, më shumë se 832,000 persona kanë vdekur.

LEXO EDHE:

Back to top button