Merkel: Marrëveshje më të gjera me Biden se me Trump

Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi sot se ishte e gatshme për një spektër më të gjerë marrëveshjesh me Joe Biden se me Donald Trump, me gjithë pikat e vazhdueshme të fërkimit, veçanërisht në projektin e diskutueshëm të tubacionit rus të gazit Nord Stream 2.

Nëse ju shikoni thjesht dekretet që u nënshkruan dje nga Biden, ju mund të shihni se ne mund të punojmë përsëri së bashku në fusha si klima apo imigracioni”, theksoi në një konferencë shtypi kancelarja gjermane.

“Në të njëjtën kohë, ne e dimë që me inaugurimin e presidentit të ri amerikan (…) do të ketë diskutime se si t’i bëjmë gjërat mirë për të dy vendet”, shtoi Merkel duke theksuar se nuk duhet të presim një konsensus për të gjitha temat.

“Thuhet kudo, me të drejtë se Europa do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi, jo vetëm ushtarakisht, por edhe diplomatikisht dhe në shumë fusha të tjera, por lajmi i mirë është se ne, në Gjermani, jemi gati ta bëjmë atë dhe po ashtu edhe Bashkimi Europian”, shtoi ajo.

“Por, bashkëpunimi është thjesht i bazuar sërish në një themel më të gjerë të bindjeve të përbashkëta”, theksoi ajo.

Ndër pikat e diskutimit që pritet të vazhdojnë me administratën e re, kancelarja përmendi projektin e diskutueshëm të gazsjellësit Nord Stream 2, i cili do të sjellë gazin rus në Gjermani dhe Evropë, i cili kundërshtohet nga demokratët dhe republikanët amerikanë.

“Qëndrimi im për Nord Stream 2 nuk ka ndryshuar”, theksoi Merkel, e pyetur për mbajtjen e këtij projekti, pavarësisht tensioneve me Rusinë, veçanërisht burgosjen së fundi të opozitarit rus, Alexeï Navalny.

LEXO EDHE:

Back to top button