Merkel: Plagët e luftërave nuk janë shëruar! E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE
Disa ditë para samitit virtual në procesin e Berlinit, kancelarja gjermane Angela Merkel nëpërmjet një video mesazhi tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropën e vërtetë të bashkuar. Merkel theksoi se në Ballkanin Perëndimor ka ende shumë sfida, se mosbesimi dhe nacionalizmat ende nuk janë zhdukur, ndërsa kontestet bilaterale mund të shpërthejnë në çdo çast dhe prandaj nevojitet pajtim. Kjo, thotë Merkel, do të thotë tejkalim i të kaluarës dhe bërja e gjithçka që është e mundur që gjeneratat e ardhshme të jetojnë në paqe.
“Ballkani Perëndimor është fqinj i drejtpërdrejtë i BE-së. Është pjesë e Evropës ku plagët e luftërave ende nuk janë shëruar, ndërsa shumë qytetarë në atë rajon jetojnë edhe në Gjermani. E kam të qartë se vendet e BE-së duhet të kenë interes për zhvillim të qetë në Ballkanin Perëndimor. Ne praktikisht jemi përgjegjës të përpiqemi për zhvillim në atë pjesë të Evropës”, tha Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë.








