“Mësimi online” shkakton ngecje në drejtimet profesionale

Nxënësit e shkollave profesionale janë më të dëmtuarit gjatë realizimit të mësimit nga distanca, për shkak të gjendjes me Covid 19. Drejtimet për të cilat janë caktuar, përveç teorisë kërkojnë edhe mësimin praktik. Për këtë të fundit, Ministria e Arsimit ka lejuar vetëm disa orë me prezencë fizike e që për nxënësit janë të pamjaftueshme. Sihana Sejfullai e cila po ndjek mësimet në shkollën e artit figurativ thotë se mësimi pa praktikë është shumë vështirë të kuptohet. Për shkak të mësimit jo të zakonshëm, profesorët në këtë shkollë kanë bërë lëshime të caktuara.

Është lloj mësimi por të gjithën duhet me praktikë me bë. Ta shpjegon profesori dhe duhesh patjetër me punu aty. Kjo është puna e artit, pa punuar nuk mundesh me kuptu. Lënda më e rëndë sipas meje është historia a artit. Në shkollë do të ishte më ndryshe, mënyra se si shpjegojnë. Shumë më pak kemi vizatime, nuk na mundojnë shumë profesorët që të na japin angazhime siç kemi pas. Në shkollë është më ndryshe, për shembull kishim detyrë edhe në shkollë edhe në shtëpi, tash nuk kemi shumë se jemi në shtëpi dhe nuk besoj që kishim mund ti mbrrijm të gjitha”-tha Sihana Sejfullai, nxënëse, shkolla e artit figurative “Llazar Liçenovski”.

Në një situatë të ngjashme janë edhe nxënësit e gjimnazit të sportit “Metodi Mitevski Brico” në Shkup, thotë profesori Hamid Bakija. Sipas tij, mësimi i lëndëve të sportit nuk mund të imagjinohet online. Të vetmin takim që ka me nxënësit, është ora e notit që e realizojnë në pishinat e qytetit.

 Në pjesën e praktikës kemi sporte luftarake, gjimnastikën, lënda e atletikës, këtu kemi edhe lëndën e notit ku fatmirësisht atë pjesë e praktikojmë me prezencë fizike. E kan fat ky grup I nxënësnve ta ndjekin përmes prezencës fizike por, është grup I vogël. Ashtu e kanë pas fat edhe po e shfrytëzojnë, janë shumë të kënaqur sepse tërë kohën janë të mbyllur, tash u jepet mundësia sadopak të vijnë të shoqërohen edhe të marin atë pjesën e diturisë që u nevoitet”-theksoi Hamid Bakija, profesor i gjimnazit të sportit “Metodi Mitevski Brico”.

Pavarësisht kërkesave të shumta nga nxënësit e shkollave të mesme, Ministria e Arsimit nuk lejoi që arsimi i mesëm të realizohet me prezencë fizike për shkak të virusit korona. Ministrja Carovska ka thënë se kthimi i nxënësve në shkolla mund të ndodhë vetëm nëse përmirësohet gjendja epidemiologjike, në të kundërtën mësimi online mund të vazhdon deri në fund të viti.

 

Melihate Rustemi                                          

LEXO EDHE:

Back to top button