Mexhiti: Albin Kurti e tha të vërtetën sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhëve

Mexhiti: Albin Kurti e tha të vërtetën sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhëve

Gazetar: Suad Bajrami

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, vlerëson se Albin Kurti e ka thënë të vërtetën për atë që në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe, por ligj për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq reagimet e BDI-së të cilët deklaratën e Kurtit e quajtën antishqiptare i quan histerike dhe në panik. Sipas Mexhitit, e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, lidhet me përmbushjen e kuotës 20% të popullatës, e që kjo u përket të gjitha komuniteteve që e përmbushin këtë kuotë.

“Zoti Kurti e ka thënë të vërtetën, në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe, ka ligj të gjuhëve, brenda parashihet si kuotë 20%. Ajo bashkësi etnike që i përmbush, apo është mbi 20%, në këtë rast shqiptarët kanë drejtë ta përdorin gjuhën shqipe. Por, është e lidhur me 20%. Titulli i ligjit, pra nuk është Ligji për Gjuhën Shqipe, por është Ligji për Gjuhët”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Në lidhje me mundësinë që Ligji i Gjuhëve të kthehet në Kuvend për t’i korrigjuar nenet kontestuese të cilat janë para Gjykatës Kushtetuese, Mexhiti thotë se nuk ka vend për shqetësim.

“Mendoj që nuk ka vend për shqetësim, në Gjykatën Kushtetuese ka disa iniciativa, nuk kanë të bëjnë me ligjin e gjuhëve kanë me disa nene të cilat edhe deri tash nuk janë zbatuar dhe pasi e ka dërguar vetë qeveria e kaluar për mendim në Komisionin e Venecias ka pasur edhe aprovim nga zotëri Osmani, ish ministri i Punëve të Jashtme se do të absolvohen këto nene, mirëpo ne e ndjekim dhe jemi garant e asaj që të drejtat e shqiptarëve jo që do të mbrohen, por do të avancohen”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Ndryshe për më 11 dhjetor është paralajmëruar seanca në Gjykatën Kushtetuese ku do të diskutohet për tre nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat kanë të bëjnë me përdorimin e shqipes në kartëmonedha, uniforma dhe procese gjyqësore. Kjo, ka bërë që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, të bëhet temë kryesore, madje jo vetëm brenda kufijve të shtetit. Opozita kritikon qeverinë se po dëshiron ta shfuqizojë shqipen nga përdorimi, megjithatë pushteti mohon akuzat. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button