Mickoski paralajmëron se do të tërhiqet nga politika nëse disa deputetë të VMRO-së…

Mickoski paralajmëron se do të tërhiqet nga politika nëse disa deputetë të VMRO-së...

Gazetar: Lluka Andreev

Hristijan Mickoski paralajmëroi tërheqje nga politika nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së mbështesin ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, shkruan Alsat.

Ai bëri thirrje që pushteti t’i japë fund deklaratave se disa nga deputetët e VMRO-DPMNE-së janë të gatshëm të votojnë “pro” ndryshimeve kushtetuese, të dala nga propozimi francez.

“Këtu dua ta mbyll atë temë. Me çmimin e karrierës sime profesionale dhe politike, nuk ka njerëz të tillë. Do të iki, do të iki nga politika dhe nuk do të merrem më kurrë me politikë, nëse derisa jam unë kryetar, në këto kushte ndryshohet Kushtetuta”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së njofton gjithashtu se nesër do të vazhdojnë bisedimet me partnerët e koalicionit lidhur me iniciativën për referendum, lidhur me propozimin francez. Dilema është nëse referendumi do të propozohet nga 44 deputetë apo do të mblidhen 150 mijë nënshkrime.

“Ta përfundojmë gjithë këtë proces dhe të dalim me një qëndrim përfundimtar para qytetarëve – cili do të jetë propozimi i VMRO-DPMNE-së, a do të shkojmë me 150 mijë nënshkrime, a do të shkojmë me deputetët, duke pasur parasysh se po bëhet në vazhdimësi edhe nga instalimet qeveritare në opozitë edhe presion nga vetë qeveria se ka deputetë të tillë dhe dikush heziton”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski, duke komentuar deklaratën e ministrit teknik për punë të jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Milkov, për dokumentin e ri të dedikuar për institucionet bullgare, i cili do t’i udhëzojë në dialogun me Shkupin, tha se një deklaratë e tillë është “nokdaun” i ri për diplomacinë maqedonase. Sipas tij, kërkesat bullgare ndaj vendit nuk do të ndalen, por përkundrazi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button