Mickoski: S’e pranojmë shpalljen e Dellçevi si bullgar

Nëse Qeveria pranon marrëveshje në të cilën Goce Dellçev njihet si maqedonas në kuptimin rajonal për shkak se është lindur në territorin e Maqedonisë, dhe bullgar me përkatësi etnike, dhe nëse gjuha maqedonase njihet si formë linguistike e bullgarishtes, kjo nënkupton asimilim të nacionalitetit maqedonas, thotë kreu i opozitës Hristijan Mickoski.
Nëse kjo qeveri mafioze në krye me Zaevin sjell një vendim të tillë, qeveria e ardhshme e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja, atë vendim menjëherë do ta shfuqizojë dhe asnjëherë më tej nuk do ta respektojë. Kjo le të thuhet dhe le të shkruhet, të mos dalë pastaj që s’e kemi thënë dhe që s’ju kemi paralajmëruar”-tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE
Me protestë me automobila, opozitarja shënoi ditën e VMRO-së në rrugët e Shkupit dhe Shtipit. Mickoski ju drejtua Bullgarisë me porosinë se nuk ju duhet një fqinj i asimiluar dhe poshtëruar, kurse BE-së i kërkoi fillimin e negociatave pa kushte.
Koha e duhur është që Evropa tani menjëherë t’ia kthejë këtij populli, pa kushte, pa shantazhe, të ardhmen evropiane. Evropa është ajo që e ka në duar të ardhmen e këtij populli dhe të këtij vendi. Pavarësisht impotencës politike të Zaevit dhe paaftësisë që të njihet momenti strategjik. Bashkimi Evropian, pa kushtëzime duhet menjëherë të fillojë negociatat me Maqedoninë”-pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE.
Ndërkohë në Sofje një ditë më parë në vizitë zyrtare qëndroi ish kryeministri dhe kryetari i parë i VMRO-DPMNE-së, Lupço Georgievski. Pas takimit me ministren e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva, kreu i VMRO-së-Popullore e cila aktualisht është në koalicion me LSDM-në, Georgievski, në intervistë për agjencinë bullgare të mediave BGNES, deklaroi se nga pala bullgare askush s’është i interesuar për ndryshimin e Kushtetutës tonë dhe për një marrëveshje të re.
Këtë personalisht e dëgjova nga politikanët bullgar. Sofja dëshiron zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 dhe rezultate konkrete nga puna e Komitetit të përzier për çështje historike. Maqedonasit duhet të dinë për vrasjet dhe terrorin pas vitit 1945. Në vendin tonë s’është normale të ketë rrugë të emëruara sipas njerëzve që kanë vrarë maqedonas”-tha Lupço Georgievski, ish kryeministër.
Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes u vendosën në qendër të vëmendjes gjatë muajve të fundit, pasi politikanë bullgarë kushtëzuan procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Fatlume Dervishi