Mickoski sërish me akuza për qëndrimin e pushtetit ndaj Goce Dellçevit – I përgjigjet Kovaçevski
Mickoski sërish me akuza për qëndrimin e pushtetit ndaj Goce Dellçevit – I përgjigjet Kovaçevski
Gazetar: Lluka Andreev
Me mospranimin e Deklaratës për Goce Dellçevin, pushteti ka treguar se është i gatshëm të heqë dorë nga çështjet tjera të rëndësishme identitare, akuzoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke shtuar se fqinji lindor na ka goditur themelet, shkruan Alsat.
Mickoski sot sërish kërkoi që opinioni publik ta dijë se çfarë është tema e negociatave.
“Pse ta fshehim 3 + 2, 5 + 1, 2-3 e kështu me radhë… Populli duhet ta dijë, sepse populli maqedonas dhe bashkëqytetarët dhe fqinjët tanë janë të lodhur nga disfatat”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se opozita po bën histeri për temën e bisedimeve me Bullgarinë.
Sipas Kovaçevskit, VMRO-DPMNE ka pasur mundësi të marrë pjesë në grupet punuese të sapoformuara, por nuk e ka pranuar ftesën dhe me deklaratën e propozuar, sipas kryeministrit, opozita i dëmton negociatat.
“Nëse VMRO-DPMNE-ja mendon se me deklaratat e njëanshme që vetëm e pengojnë procesin e negociatave, të cilat zhvillohen në frymën e vlerave evropiane dhe të ruajtjes së dinjitetit të të gjithë qytetarëve, do të ndihmojë, ata po e bëjnë krejt të kundërtën”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
VMRO-DPMNE-ja e ka dorëzuar në Kuvend deklaratën për Goce Dellçevin më 4 shkurt dhe këmbëngulte të jetë pikë e rendit të ditës të enjten, kur janë votuar ndryshimet në Ligjin për pagën minimale.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se teksti i Deklaratës nuk mund të merret parasysh sepse ende nuk ishte përkthyer në shqip. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për deklaratën tha se ajo na kthen në procesin e negociatave.
Ndërkaq, ish i dërguari special në Sofje, Vllado Buçkovski, tha se nëse Bullgaria insiston që pala maqedonase ta pranojë se Dellçevi ishte bullgar, atëherë ndoshta nuk do të jemi kurrë anëtare e BE-së./ Alsat.mk








