Mickoski takon ish krahun e djathtë të Gruevskit
Mickoski takon ish krahun e djathtë të Gruevskit

Gazetare: Fatlume Dervishi
Në kulmin e zënkës mes Hristijan Mickoskit dhe Nikolla Gruevskit, edhe një ish funksionar tjetër i partisë merr anën e kreut aktual. Gordana Jankullovska e cila ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit dhe tashmë i mundësohen ditët e lira, nga burgu shkoi në takim me Mickoskin. “Një takim i fuqishëm sa Gorde. Padrejtësia nuk na ka thyer asnjëherë”, shkruan Mickoski në fejsbuk.
Një ditë më parë Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së diskutoi për situatën e krijuar më Gruevskin dhe doli me një qëndrim.
“VMRO-DPMNE-ja e dënon planin e qeverisë, të boshtit BDI-LSDM-funksionarë të dikurshëm të opozitës që vendosën të jenë në dispozicion të tyre përmes marrëveshjeve të pista për arsye që vetëm ato i dinë, dhe të cilat direkt do të jenë në dëm të popullit maqedonas”, njoftoi VMRO-DPMNE.
Ish kryeministri Nikolla Gruevski nga Budapesti mohoi të ketë pasur përpjekje ose plan për t’u përzier në vendimin e deputetëve të VMRO-së për ndryshimet kushtetuese. Ai akuzoi funksionarët e partisë se nuk punojnë sa duhet, se lejojnë të rrinë në burg njerëz të pafajshëm dhe të miratohen vendime të dëmshme. Vendimi për t’u përçarë me atë, thotë Gruevski, nuk është i mençur.
“Nuk ka pasur asnjë ndikim nga ana ime që deputetët të votojnë për ndonjë pikë dhe gjatë vitit të fundit nuk kam komunikuar me ndonjë nga deputetët. As nuk e kam planifikuar një gjë të tillë. As nuk mendoj se duhet të ndryshojë qëndrimi i partisë për çështjen e ndryshimit të Kushtetutës. Vendime të dëmshme për shtetin ju kalojnë çdo ditë. Ju fleni. Vetëm këto 2-3 ditë që jeni duke u marrë me mua, kanë kaluar një mori vendimesh të dëmshme në nivele të ndryshme të qeverisjes”, tha Nikolla Gruevski, ish kryeministër.
LSDM-ja vlerëson se partia opozita është duke u rrënuar dhe se ata nuk janë fajtorë për këtë, ashtu siç pretendon Mickoski.
“VMRO-DPMNE-ja po shkatërrohet. Përpjekjet për të shkaktuar konfuzion në public dhe nevoja e dëshpëruar për ta përzier LSDM-në në përçarjet e brendshme dhe zënkat brenda DPMNE-së, Mickoskit nuk do t’i kalojnë”, deklaroi Melisa Cenovska, LSDM.
Zënka mes kreut aktual dhe ish kreut të VMRO-DPMNE-së filloi pak ditë më parë, pasi Mickoski deklaroi publikisht se ekziston marrëveshje e pistë mes pushtetit dhe Gruevskit për të përçarë grupin parlamentar të partisë me qëllim që të votohen ndryshimet kushtetuese. Në këmbim, sipas Mickoskit, pushteti i ka premtuar Gruevskit amnisti. /Alsat.mk